Në Kosovë aksidentet me fatalitet nuk kanë të ndalur.
Edhe sot rrugët e vendit u përgjakën, ku në Zhur të Prizrenit, si pasojë e një aksidenti të rëndë të trafikut, tre persona humbën jetën, shkruan lajmi.net.
Aksident pati edhe në Shkabaj të Prishtinës mirëpo që fatmirësisht përfundoi pa viktima, e me tre të lënduar.
E në vitin që lamë pas rreth 110 persona humbën jetën në aksidente në krejt territorin e vendit.
Lidhur me këtë dukuri, për lajmi.net ka folur eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj.
Dedaj thotë se aksidenteve me fatalitet po u kontribuon fakti që në Kosovë nuk bëhen hulumtime për shkaqet që po i shkaktkojnë.
Sipas tij, një gjë e tillë është esenciale për t’u arritur deri në një përfundim mbi këtë dukuri.
“Për fat të keq në Kosovë nuk bëhen hulumtime për shkaqet që shkaktojnë aksidentet, e për të përcaktuar elementet e faktorëve si shkaktërë të aksidenteve e sidomos të atyre me fatalitet, atëherë është e nevojshme të bëhen hulumtime të aksidenteve”, ka thënë ai.
Ai rradhit edhe shkaqet se pse po ndodhin këto aksidente, ndërkaq si të parën ai e vendos tejkalimin e shpejtësisë së kufizuar.
“Për arsyen e mungesës së hulumtimeve, është problem të flitet për shkaktarët e aksidenteve të caktuara. Në përgjithësi gjatë vitit të kaluar si shkaktarë i aksidentëve kanë qenë tejkalimi i shpejtësisë së kufizuar, ndërkaq që në kushte e dimrit janë edhe kushtet atmosferike si dhe kushtet e rrugës, duke mos i lënë anash elementet e automjetet siç janë sistemi i frenimit dhe i ndriqimit”, përfundon Dedaj.
E si pasojë e shpeshtimit të aksidenteve me fatalitet, Policia e Kosovës ka vendosur që të shpeshtojë patrullimin nëpër autostrada, duke përfshirë edhe patrullimin me vetura me targa civile.