Fjalë Kyçe

Ekspertiza ndërkombëtare e nevojshme për vlerësimin e programeve të universiteteve

Ekspertiza ndërkombëtare e nevojshme për vlerësimin e programeve të universiteteve

Anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), kanë raportuar në Komisionin për Arsim, duke thënë se përkundër se punën e kanë nisur me vonesë, kanë arritur t’i përfundojmë obligimet ligjore.

Për procesin e akreditimit, nënkryetari i Komisionit, Enis Kervan, ka kërkuar të dijë nëse procesi për akreditimit mund të zhvillohet edhe pa ekspertët ndërkombëtarë.

“Sipas Ligjit, Kosova është i vetmi vend rajon që ka ekspertë ndërkombëtarë, deri kur është paraparë që kemi vlerësim vetëm nga ekspertët ndërkombëtarë”, tha ai.

Për këtë kryetarja e KSHC-së, Hasnija Ilazi tha se është më se e nevojshme ekspertiza ndërkombëtare, pasi Kosova ende nuk ka kapacitete ta zhvillojë këtë proces vet.

“Çështja e ekspertëve është e ndjeshme sepse raportin e tyre është vështirë me kontestua sepse janë të fushës, ne kemi paraparë edhe në ligj por shpresoj që kjo të ruhet edhe në ligjin e Agjencisë për Akreditim. Ekspertët ndërkombëtare kanë njëfarë autonomie. janë ende vendet evropiane që kanë ekspertët ndërkombëtarë për vlerësimin e programeve të tyre. Veçanërisht kur është vendi i vogël dhe mendoj se ende në këtë fazë është i nevojshëm ekspertiza ndërkombëtare, kjo është një nga arsyet”, tha ajo.

Anëtarët e KSHC-së deklaruan se në vitin e kaluar janë miratuar 199 aplikacione për akreditim të institucioneve të arsimit të lartë. 40 janë refuzuar, nga 239 aplikacione për akreditim institucional dhe të programeve.

Anëtarja e KSHC-së, Rozafa Koliqi, tha se për këtë duhet kërkuar përgjegjësi edhe nga Universiteti i Prishtinës.

“Unë e di që ka shumë debate për ekspertet ndërkombëtare, unë mendoj që nuk janë pjek kushtet që t’i vlerësojmë vetë programet e tona dhe ishte krijuar një situatë kaotike dhe nëse është diçka e mirë për punë janë ekspertët ndërkombëtarë dhe mendoj se nuk janë pjekur kushtet”, shtoi Koliqi.

Anëtarja e Komisionit për Arsim nga LDK, Vlora Dumoshi kërkoi të dijë nëse anëtarët kanë pasur ndërhyrje politike për akreditim të ndonjë programi.

“Do të fokusohem tek kryetarja që tha se të gjitha programet që janë akredituar me rekomandim të ekspertëve a ka pasur raste ka vendosur ndryshe dhe në cilat raste dhe rrethana ka pasur si dhe a keni pasur ndërhyrje politike për akreditim të programeve”, tha ajo.

Mirëpo për këtë nuk pati përgjigje direkte nga Këshilli Shtetëror të Cilësisë.

Anëtarët e këtij Këshillit njoftuan po ashtu se janë duke punuar në manualin për monitorimin nga AKA-ja, pasi sipas tyre, për monitorim kanë mungesë të stafit.

Kryetarja e KSHC-së, foli edhe për kthimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ENQA dhe EQAR.

“Ne do të kemi një vizitë të ekspertëve të EQAR në maj dhe do të ketë vizitë jo vetëm në AKA dhe vizitë e parë ka me qenë na jepen rekomandime që kur të bëhet vlerësimi i vërtetë në fund të vitit, nëse nuk arrijmë të kthehemi nga ENQA, ne mund të kthehemi në EQAR dhe kjo ka me qenë mire”, tha ajo.