Ema Coronel, gruaja e bosit më të madh të drogës, El Chapo raportohet se është vetëdorëzuar dhe jo arrestuar, siç u raportua fillimisht.
Sipas burimeve të “Vice News” gruaja e trafikantit më të famshëm të kokainës pas Pablo Escobar mund të jetë gati të bashkëpunojë me drejtësinë amerikane për të siguruar detaje të reja nga aktiviteti i Kartelit të Sinaloas, që drejtohej nga El Chapo, ndërsa sot që ai është pas hekurave, nga djemtë dhe miqtë e tij.
Mike Vigil, një ish-agjent i DEA-s dhe njohës i karteleve meksikane, tha për “The Sun” se ajo mund të ketë informacione të vlefshme sepse ka qenë në dijeni të gjithçkaje.
“Emma Coronel gjithmonë ka qenë princesha ‘Narocs’. Babai i saj Inez dhe vëllai Omar ishin trafikantë droge dhe kur u martua me El Chapo-n familjet bashkuan edhe trafikun. Guzman mori në organizatën e tij babain dhe vëllain e saj. Anëtarët e karteleve u besojnë familjarëve më shumë se kujtdo tjetër”, tha Vigil.
“Ajo mund të japë shumë informacione që mund të çojnë në procedimin penal të anëtarëve të tjerë të Kartelit të Sinaloas. Nëse bashkëpunon jeta e saj është në rrezik. Por shtysa e saj mund të jenë dy vajzat e vogla. Nëse përfundon në burg, nuk do t’i shohë më kurrë”.
Coronel u njoh me El Chapo-n kur ishte adoleshente dhe është 32 vite më e vogël se ai. E lindur në Kaliforni, ajo ka nënshtetësi të dyfishtë, meksikane dhe amerikane. Përgjatë gjithë jetës së gruaja e Guzman, ky i fundit ka qenë ose në arrati, ose në burg.