Fjalë Kyçe

Emërimet e paligjshme të Qeverisë në detyrë

Emërimet e paligjshme të Qeverisë në detyrë

Dy nga hallkat me të rëndësishme të hetuesisë janë bërë më drejtorë nga Qeveria në detyrë. Kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës është zgjedhur Kushtrim Hodaj në ditët e fundit të vitit 2020, pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar të jashtëligjshme Qeverinë Hoti.

Ndërsa të mërkurën, Qeveria në detyrë, ka emëruar Samedin Mehmetin drejtor të Policisë së Kosovës, disa muaj pas shkarkimit të Rashit Qalajt. Siç ka mësuar KOHA, të dielën dhe të hënën janë intervistuar kandidatët për drejtor të ri të Policisë së Kosovës, përkundër se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar më 20 janar seancën gjyqësore për bllokimin ose jo të konkursit pas padisë së Qalaj.

Kjo “nguti”, sipas Betim Musliut nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, po bëhet nga kjo qeveri për të vazhduar, siç i referohet ai, kapjen e institucioneve.

“Është tërësisht e papranueshme që Qeveria Hoti të ndërmerr veprime për zgjedhjen e pozitave kyçe në kohën kur veçse ka një datë të zgjedhjeve, që të zgjedh pozitat më të rëndësishme në këtë rast pozitat me vitale të shtetit. Po ashtu është paradoksale në kohën kur një seancë të caktuar për masë të sigurisë, që është 20 janari të mos pritet kjo datë”, ka thënë Musliu.

Sipas Musliut paradoksale që këto veprime të bëhen nga Qeveria Hoti është fakti që kjo qeveri ka propozuar projektligj për kufizimin e rolit të Qeverisë në detyrë, ndërsa vet po tentojnë të plotësojnë pozita edhe pse janë përkohësisht aty.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeqla konkursin dhe emërimin e drejtorit të Policisë e konsideron si pjesë e përpjekjeve për vendosje të emrave të lidhur me LDK-në në krye të Policisë së Kosovës.

“Në raste të veprimit, pa pritur vendimin final të Gjykatës, rreziku është i kthimit të situatës në pikën zero, pas ndonjë vendimi ndryshe nga Gjykata… Në rrethanat e tashme ka përpjekje që të vendosen emra të dëgjueshëm dhe të lidhur me LDK-në në krye të Policisë. Pra ka përpjekje që në ditët e fundit të tyre të vazhdojnë dëmtimin dhe kapjen e institucioneve, prandaj kjo është shumë e dëmshme dhe e rrezikshme”, ka thënë ai.

KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga partia tjetër opozitare e legjislaturës së fundit, PDK-së, por ata nuk janë përgjigjur.

Javën e ardhshme, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën për caktim të masës së sigurisë ose jo për konkursin për drejtor të Policisë. Kjo kërkesë është bërë nga ish-drejtori Rashit Qalaj, që ka paditur Qeverinë e Kosovës pas shkarkimit të tij rreth 3 muaj me parë.

Qalaj është shkarkuar nga kryeministri Hoti me arsyetimin se ka shfaqur përformancë të dobët.

Pas shkarkimit ai e ka sfiduar Qeverinë në Gjykatën Themelore e cila ka vendosur në favor të tij. Por ndryshe ka vendosur shkalla e dytë.

Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë argumentimin e gjykatës së shkallës së parë për bllokimin e zgjedhjes së drejtorit të ri të Policisë së Kosovës, pas padisë së ish-drejtorit Rashit Qalaj.

Rreth një muaj më parë Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në favor të ankesës së Qalajt për masë të sigurisë, porse ky vendim, pas ankesës së Qeverisë së Kosovës, nga gjykata e shkallës së dytë është kthyer në rivendosje. Në vendimin e Apelit të siguruar nga KOHA janë gjetur mangësi sidomos në dy pika.

“Kundërthënia në mes arsyetimit të aktvendimit të goditur qëndron për faktin se gjykata në pjesën ku i referohet besueshmërisë së të drejtës subjektive të palës propozuese, e potencon faktin se vendimi mbi lirimin nga pozita e drejtorit është i kundërligjshëm, pa u vërtetuar fare nga gjykata nëse vendimi është i kundërligjshëm ose jo”, thuhet në vendimin e Apelit. “Gjykata e Apelit, nisur nga kjo gjendje e çështjes, vlerëson së qëndrimi dhe përfundimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë dhe i ligjshëm, për shkak se aktvendimi i atakuar në ankesë është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore”, argumentohet tutje aty.

Samedin Mehmeti pas shkarkimit të Qalajt ka qenë ushtrues i detyrës së drejtorit të Policisë. Por Qeveria nuk ka pritur vendimin e gjykatës për të përmbyllur çështjen e emërimit të drejtorit.

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës, ka mbajtur mbledhje korresponduese\elektronike. Në mbledhjen e 57 me radhë, Qeveria ka miratuar vendimin për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe vendimin për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, në projektin për sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë Informative të Policisë së Kosovës. Qeveria në detyrë, i ka propozuar kryeministrit Hoti emërimin e z. Samedin Mehmeti, Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.