Burim Dinarama është caktuar si ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, me vendim të ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Me këtë vendim është shfuqizuar ai i 7 nëntorit të vitit të kaluar përmes së cilit Aliu e pati emëruar Alban Ramabajën ushtrues detyre. Ramabaja e ka mbajtur detyrën edhe pse në shkurt të këtij viti, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil pati shfuqizuar vendimin e emërimit të tij.
Ndaj emërimit të Ramabajës ishin ankuar tre drejtorë të departamenteve të ndryshme në Autoritetin e Aviacionit, me arsyetimin se emërimi ishte në kundërshtim me disa dispozita të ligjit për zyrtarët publikë.
Siç thotë vendimi aktual, Dinarama do ta ushtrojë detyrën e drejtorit të AAC-së përgjatë gjashtë muajve.
Dinarama ka mbajtur pozitën e drejtorit të Departamentit të Aerodromeve.