Autopsitë u kanë dhënë mjekëve një mundësi të veçantë për të parë se çfarë ndikimi ka koronavirusi në trupin e njeriut. Ato mund të zbulojnë se çfarë organe dhe inde janë më të prekura nga infeksioni dhe tregojnë nëse dëmi vjen nga virusi apo nga reagimi i trupit ndaj tij.
Këto autopsi mund të tregojnë jo vetëm efektet e virusit, por edhe terapitë e ndryshme për të prekurit, transmeton KOHA. Doktoresha Desiree Marshall është shefe e Autopsisë dhe Shërbimeve Mortore në Universitetin e Uashingtonit në Seattle.
Ajo ka kryer autopsi të COVID-19 dhe ka ekzaminuar organet, siç është zemra e pacientit që ka vdekur nga koronavirusi. Këtë ekzaminim e ka bërë për të mësuar më shumë për virusin.
“E kemi parë se virusi ka goditur më shumë të moshuarit dhe ata që kanë pasur probleme kronike. Mirëpo e kemi vërejtur se pacientët e rinj, sidomos ata që moshave të mesme e që nuk kanë pasur probleme kronike, kanë hasur në vështirësi të shumta”, thotë shefja e autopsisë Desiree Marshall.
Thellësia e sëmundjes ishte e panjohur muaj më parë, por tani doktorët mund të gjejnë trajtime më të mira përmes hulumtimeve dhe autopsive. Në shumë pacientë që kanë vdekur nga koronavirusi autopsia ka zbuluar se ata patën probleme me mushkri.
Hulumtimi i tyre me mikroskop ka mundësuar që të analizohet trashësia e murit që ndihmon në qarkullimin e oksigjenit në gjak. “Me këtë autopsi nuk po analizojmë vetëm problemet e pacientëve dhe historinë e tyre shëndetësore. Ne po analizojmë vetë pacientët për nga prejardhja, ku kanë jetuar dhe cilat janë karakteristikat e tyre”, thotë Marshall.
Doktorët zbuluan se virusi po fshihej në mushkri, veshkë dhe në enët e gjakut të trurit. Autopsitë gjithashtu kanë siguruar prova se virusi mund të shkaktojë një trashje të madhe të gjakut. “Nuk dimë shumë për virusin, por po mësojmë për efektet akute të tij. Ende nuk e dimë se cilat janë pasojat afatgjate të tij”, ka shtuar Marshall.
Doktoresha Marshall po vazhdon punën në autopsi. E di se mënyra më e mirë për të luftuar virusin është që të mësojë sa më shumë për të.