Fjalë Kyçe

Ende nuk dihet nëse AKR-ja do të jetë pjesë e qeverisë

Ende nuk dihet nëse AKR-ja do të jetë pjesë e qeverisë

LDK-ja tashmë ka dorëzuar kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për votimin e qeverisë.

Menjëherë pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga ana e Gjykatës Kushtetuese për dekretimin e Avdullah Hotit si kandidat për kryeministër nga ana e presidentit, Hashim Thaçi, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka bërë kërkesë në Kuvend për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për votimin e qeverisë së re, raporton lajmi.net.

Pavarësisht dorëzimit të kërkesës, LDK-ja nuk e di nëse AKR-ja do të jetë pjesë e qeverisë së saj.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pas dorëzimit të kërkesës ka deklaruar se nuk është në dijeni nëse partia e Behgjet Pacollit, AKR-ja do të jetë pjesë e qeverisë së tyre.

“Nuk e di a është pjesë AKR-ja nuk e di. Nuk e di a do të jetë AKR-ja pjesë e qeverisë apo jo”, deklaroi Gashi.

Ai po ashtu ka folur edhe për marrëveshjen me Listën Serbe për të cilën ka thënë se Avdullah Hoti do t’i bëjë publike të gjitha marrëveshjet përfshirë edhe atë me Listën Serbe.

Mirëpo, sa i përket çështjes së presidentit, Gashi ka thënë se nuk është vënë në diskutim kjo çështje.

“Sa i përket kandidatit për president nuk jemi në atë pikë. Meqenëse me LVV-në kemi pasur një skenarë qeverisës 4+4 dhe tash nuk kemi një marrëveshje të tillë. Nuk besoj se presidenti Thaçi do të ketë edhe një mandat 5-vejçar”, u shpreh Gashi, raporton më tutje lajmi.net.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se programi qeverisës i LDK-së është i gatshëm dhe se të gjithë deputetët e koalicionit qeverisës e kanë marrë nga një ekstrakt.