Fjalë Kyçe

Ëndrrën që i mbeti në gjysmë si lojtar, Çaka e synon si gjyqtar

Ëndrrën që i mbeti në gjysmë si lojtar, Çaka e synon si gjyqtar

Gjyqtari i futbollit në Kosovë, Dardan Çaka, e kishte një ëndërr të madhe në moshë të re. Ai synonte që si futbollist të luajë për ndonjë klub të madh evropian. Karriera e tij te Vushtrria kishte nisur shumë të mirë. Ai luajti më pas edhe për Trepçën ’89, Prishtinën e KEK-un. Paraqitjet e mira bënë që Çaka të ftohej edhe te Kosova U-16, përpara se të luante edhe për gjeneratën U-17 e U-19. Por, në moshën 20-vjeçare, ai u detyrua t’i japë fund karrierës shkaku i lëndimit të krahut të djathtë. Tani, ai është ndër gjyqtarët më të vlerësuar të futbollit në vend.

“Ëndrra ime për t’u bërë një futbollist me emër në arenën ndërkombëtare u shua pas një lëndimi të rëndë në kraharor, e që u përsërit disa herë. Në vitin 2012 mbylla karrierën si futbollist. Futbolli ishte gjithçka për mua dhe idenë për të qenë pjesë e futbollit, por si arbitër, ma dha babai im një vit më vonë. Për këtë i jam mirënjohës, sepse pasioni që kam mbjellë si arbitër tani është i pakrahasueshëm”, tha Çaka të enjten për KOHËN.

Ai shton se në kohën kur kishte probleme me krahun, në Kosovë kubet nuk paguanin lëndimet e lojtarëve.

“Kohë më parë në Kosovë, fatkeqësisht futbollistët që janë lënduar nuk kanë gjetur mbështetje nga klubet, e fati i tillë më përcolli edhe mua”, u shpreh ai.

Pasi nisi me profesionin e gjyqtarit, Çaka i premtoi vetes se do të arrijë majat.

“I kam premtuar vetes se si arbitër do të jem edhe më i mirë, dhe kështu vitin e kaluar arrita të shpallem gjyqtari më i mirë në vend. Këtu nuk mbaron asgjë, sepse ëndrra ime është që të arrijë deri në garat më eminente të futbollit botëror”, deklaroi Çaka.

Çaka ende nuk është pajisur me stemën e FIFA-s si gjyqtar kryesor, ani pse në vitin 2021 është shpallur më i miri. Synon që fillimisht të pajiset me këtë stemë, e më pas të debutojë në garat evropiane.

“Kam qenë futbollist dhe pjesë e Kosovës U-16, U-17 dhe U-19. Me Kosovën U-16 ishim pjesë e turneut të famshëm në Itali ‘Coppa Gaetano Sciera’, ku u përballëm me ekipe të forta si Juventusi, Empoli, Sparta e Pragës, Toronto. Ishim ekipi i parë që morëm pjesë në një garë pas Pavarësisë së Kosovës, ishte ndjenjë e papërshkrueshme. Kishin ardhur shumë mërgimtarë në përkrahje dhe ne barazuam 1:1 kundër Juventusit në hapje të turneut, kishte lot gëzimi në tribuna pas ndeshjes dhe për ne ishte një ëndërr e bërë realitet”, kujton 29-vjeçari. “Ato janë momente krenarie që nuk harrohen kurrë, ne po vraponim në fushë me emrin dhe flamurin e Kosovës, ëndërr e bërë realitet. Në këtë turnir, shënova një gol në gjysmëfinale kundër Sparta Pragës”.