Me të ardhur në Kryeministri, Albin Kurti, kishte vendosur që Enver Dugolli të jetë numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes, kjo pasi që ky i fundit nuk kishte arritur të siguronte votat e mjaftueshme për deputet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Por, nuk kaluan më shumë se katër ditë nga emërimi i tij, KQZ-ja vendosi sot që ai të jetë njëri nga zëvendësuesit e deputetëve që u emëruan ministra. Kjo ka bërë që Dugollit t’i mbetet të zgjedh mes të dy pozitave të rëndësishme.
Mirëpo, ai tashmë veçse ka vendosur se cilën pozitë do ta mbajë. Në një deklaratë për Gazetën Express, ai tha se do ta mbajë pozitën e deputetit dhe jo atë të zëvendësministrit.
“Unë tash e mora vesh edhe lajmin. Natyrisht që do të përcaktohem për pozitën e deputetit për shkak se kam garuar në listën e VV-së dhe e shoh veten në Kuvendin e Kosovës” ka thënë ai.
I pyetur se kur do ta njoftojnë largimin e tij nga Ministria e Mbrojtjes, Dugolli theksoi se do ta ndërmarr këtë hap për t’u bërë pjesë e Kuvendit.