Fjalë Kyçe

EPIK e quan real raportin e PE-së për lajme të rreme

EPIK e quan real raportin e PE-së për lajme të rreme

Demush Shasha drejtor ekzekutiv në Institutin EPIK, vlerëson se zhurma e bërë pas publikimit të raportit të bërë për Parlamentin Evropian, se “dezinformatat rrëzuan Qeverinë Kurti”, vetëm vërtetojnë të gjeturat e studimit mbi dezinformata.

Shasha përmes një shkrimi në Facebook, thotë se në Kosovë është bërë trend që sa herë të ketë raporte ndërkombëtare, të kundërshtohen e të bëhet zhurmë.

“Raporti është hulumtim i pavarur i hulumtuesve me renome të BE-së. Raporti u vlerësua nga ana e Eurodeputetëve si “studim i shkëlqyeshëm” dhe i “rëndësisë së veçantë”. Gjeturat e hulumtimit bazohen në analizimin e – 74 fushatave dezinformuese, 53 mediumeve publike dhe private, 180,000 postimeve në rrjete sociale; 32 milion ndërveprimeve në rrjete sociale (view, share, like); dhe 256 citimeve bibliografike”, shkruan Shasha.

Reagimet e para erdhën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga Partia Demokratike.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, e quajti manipulim studimin derisa zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, tha se përmes këtij raporti, u sulmua Amerika nga VV-ja dhe Albin Kurti.

“Vetë koalicioni ishte jetëshkurtër dhe u rrezua nga një operacioni dezinformues amerikan”, thuhet në studimin e publikuar, i cili u bë nga disa autorë evropianë, të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të PE (AFET).