Fjalë Kyçe

Erdogan humb në Ankara, garë e ngushtë edhe në Stamboll

Partia për Zhvillim dhe Drejtësi (AK Parti), është duke humbur bindshëm në Ankara, kurse në Stamboll gara me Partia Popullore Republikane (CHP), është tejet e ngushtë.
Partia e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, Partia për Zhvillim dhe Drejtësi (AK Parti), pas 23-vjetësh po e humbet Ankaranë, shkruan lajmi.net.
Kështu të paktën tregojnë rezultatet e fundit nga zgjedhjet që u mbajtën sot në Turqi.
Sipas këtyre rezultateve, Mehmet Ozhaseki, kandidat i AK Parti, ka arritur që të sigurojë vetëm 47.20 për qind të votave në Ankara.
Kurse partia opozitare, Partia Popullore Republikane (CHP), me kandidatin e saj Mansur Yavas, në Ankara ka arritur të marrë 50.62 për qind të votave.
Sipas këtyre rezultateve garë e ngushtë në mes të AK Parti dhe CHP është duke u zhvilluar në Stamboll, transmeton më tutje lajmi.net.
Sipas rezultateve të para, Binali Yildirim nga AK Parti ka mbledhur 48.71 për qind të votave, ndërkaq Ekrem Imamoglu nga CHP ka arritur që të siguroj 48.65 për qind të votave në Stmaboll.
Edhe pse nuk ka përfunduar numërimi i votave në Stamboll, Binali Yıldırım, ka thënë se ai i ka fituar zgjedhjet në këtë qytete.
Në fjalimin në selinë e partisë së tij në qytetin e Stambollit, Yıldırım njoftoi se në Stamboll kanë fituar zgjedhjen.
“I falënderoj shumë qytetarët e Stambollit në këtë proces për mandatin që na e kanë dhënë. Shpresoj që rezultatet të jenë në të mirë të Stambollit dhe vendit tonë. Faleminderit Stamboll”, shtoi ai.
Yıldırım deklaroi se Stambollin do ta shndërrojnë në një qytet ku 15 milionë qytetarë jetojnë të lumtur dhe në paqe.
Në zgjedhjet e sotme në Turqi, rreth 57 milionë votues kishin të drejtë të hidhnin votën e tyre në 194.390 vendvotime.
Sipas vendimit të Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë (YSK), në këto zgjedhje garuan 12 parti politike.
Betejën kryesore zgjedhore do ta zhvillojnë Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Partia Popullore Republikane (CHP), Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP), Partia İYİ dhe Partia Demokratike e Popujve (HDP).
Shtatë partitë e tjera që morën pjesë në zgjedhje janë Partia e Pavarur Turke (BTP), Partia e Unitetit të Madh (BBP), Partia Demokratike (PD), Partia Demokratike e Majtë (DSP), Partia Saadet, Partia Komuniste e Turqisë (TKP) dhe Partia Vatan.
Votuesit në Turqi shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur kandidatët për kryetarë të komunave, përfaqësues të fshatrave ose njësive të vogla administrative (Muhtar), anëtarë të këshillave komunalë, anëtarë të këshillave të përgjithshëm provinciale, si dhe anëtarë të këshillave dhe asambleve të fshatrave.
Ndryshe, zgjedhjet e sotme janë të 19-tat në historinë moderne të Turqisë, dhe të parat nën sistemin e ri presidencial, i cili filloi të implementohet pas zgjedhjeve presidenciale dhe të 27-tat parlamentare që u mbajtën më 24 qershor të vitit të kaluar.