Fjalë Kyçe

“Erë baruti” në Ukrainë, shtetet europiane thirrje qytetarëve: Largohuni sa më parë

“Erë baruti” në Ukrainë, shtetet europiane thirrje qytetarëve: Largohuni sa më parë

Shqetësimet po vijnë gjithnjë e në rritje për situatën e krijuar në Ukrainë ku çdo lëvizje nga të dyja palët duke sikur sjell “erë baruti”. Shpërthimet, zjarret, sirenat dhe urdhrat e mobilizimit nga separatistët rusë në Donbass kanë intensifikuar akoma shumë situatën në lindje të vendit. Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi të premten se presidenti rus Putin kishte vendosur të pushtonte Ukrainën duke goditur Kievin.

Autoritetet ukrainase akuzojnë Rusinë se ka dërguar mercenarë në Donbass me qëllimin e qartë për t’i provokuar ata për të sulmuar ndërsa Moska vazhdon të akuzojë Perëndimin për përhapje të lajmeve të rreme. Vendet europiane u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina ndërsa disa kompani ajrore kanë pezulluar fluturimet.

Franca u bëri thirrje sot qytetarëve të saj të largohen nga Ukraina duke ngulmuar veçanërisht tek ata që ndodhen në lindje të vendit.

Të njëjtën thirrje ka lëshuar edhe ministria e Jashtme gjermane. “Një konflikt ushtarak mund të ndodhë në çdo kohë”, thuhet në deklaratë, duke këshilluar gjermanët në vend që të ndjekin zhvillimet në media”.

Ministria e Jashtme austriake gjithashtu u bëri thirrje sot austriakëve në Ukrainë që të largohen menjëherë nga vendi, me përjashtim të atyre që ndodhen në rajonet perëndimore, përcjell abcnews.

Ministria vëren se tensioni është përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa pritet që situata të përkeqësohet më tej”, dhe paralajmëron shmangien e udhëtimeve “të panevojshme” në Ukrainë.