Fjalë Kyçe

Ermali kundër Elvisit/ Luftë mes shqiptarëve për tregun e drogës në Romë

Ermali kundër Elvisit/ Luftë mes shqiptarëve për tregun e drogës në Romë

27 personat që u vunë në pranga në kuadër të një operacioni të zhvilluar në Itali rezultojnë të jenë anëtarë të dy organizatave kriminale mafioze që operojnë në kryeqytetin italian në trafikun e drogës. Mediat italiane shkruajnë se hetimet kanë nisur që në muajin dhjetor të vitit 2017, pas vrasjes së Cristian Di Lauro, në Velletri. Ky krim futi në objektivin e hetuesve Ermal Arapajn, një prej drejtuesve të klaneve mafioze.

Pikërisht në territorin e komunës së Castelli Romani, Arapaj, bosi shqiptar ka fituar përherë e më tepër pushtet falë aftësive që kishte për tu furnizuar me sasi të mëdha kokaine dhe hashashi.

Grupi tjetër kryesohej nga Elvis Demçe, edhe ky një tjetër shqiptar i njohur për forcat e rendit. Në rastin e tij, hetimet kanë nisur që më 2000, kur forcat e rendit ushtruan kontroll në shtëpinë e tij në Prenestino.

Prova të ndryshme e vendosin bosin shqiptar në rrjetin e Fabrizio Piscitellit, i njohur si Diabolik, i vrarë më 7 gusht 2019. Hetimi ka nxjerrë në dritë agresivitetin e Demçes, i vendosur për të fituar përherë e më tepër hapësirë në panoramën kriminale romane, me shitjen e sasive të mëdha të drogës e duke fituar ‘kredite’ me akte të dhunshme.

Konflikti mes dy grupeve nisi nga një zhvatje në dëm të dy vëllezërve rezidentë në lagjen San Basilio, një nga sheshet kryesore të shitjes së drogës, për kthimin e një borxhi që shkonte në 100 mijë euro për një sasi të papaguar droge. Pikërisht dëshira e Demçes për zgjerim bëri që dy grupet të hynin në konflikt. Ai synonte marrjen e kontrollit në sheshet ku shiste Ermal Arapaj, një treg i mirë-organizuar, të cilin ai e kishte marrë nën kontroll pas arrestimit të të parit. Përgjimet tregojnë mërinë e Demçes karshi Arapajt.

Kështu nisin përplasjet që kulmojnë me dy episode të rënda më 5 shtator 2020, kur rivalët i vënë zjarrin vilës së Velletrit dhe makinës së Arapajt e të shoqes së tij, përcjell dosja.al.Ai vendos të shkojë në Spanjë për të shmangur rrezikun e prej andej nis të planifikojë vrasjen e Demçes, e cila nuk realizohet vetëm për shkak të arrestimit të rivalit.

Në fazat finale të operacionit të përfunduar sot, u ushtrua një kontroll në banesën e Ermal Arapajt dhe shoqes së tij në Fermo, ku u gjet një pistoletë model Steyr, kalibër 40 me matrikull të fshirë, një karikator me 12 fishekë dhe një maskë silikoni, pajisje që mund të përdoreshin për vrasjen e rivalit.