Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu dhe trajneri i Vëllaznimit, Ismet Munishi, e kanë pasur një debat interesant në emisionin “Dueli sportiv” në RTV Dukagjini.
Munishi u ankua se dënohet me e pa të drejtë nga komisionet e FFK-së, ndërsa i menjëhershëm ishte reagimi i Salihut.
Ai ia përmendi Munishit sjelljet e pakontrollueshme.
“Mos harroni që ju jeni të përcjellur për sjelljet tuaja gjatë ndeshjeve. Ti Ismet shpesh del nga kontrolli dhe për fëmijët që shohin ndeshje, nuk je shembull i mirë”, ishte komenti i Salihut.
“A e ke parë Diego Simeonen cfarë bëri ndaj Juventusit?”, ia ktheu Munishi.
Munishi tha se gjyqtarët duhet t’i kuptojnë trajnerët kur nervozohen.
Më pas Salihu i kujtoi Munishit se Simeone është dënuar nga UEFA për veprimet e tij, njësoj sikurse dënohet edhe tekniku prishtinas për veprimet e tij të pahijshme.