Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar ka mbërritur në hapësirat e Manastirit të Deçanit.
Kjo nuk do të jetë agjenda e vetme e tij përgjatë ditës së sotme. Ai do të takohet në orën 15:30 me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Takimi mes tyre do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Escobar është duke qëndruar në Kosovë që nga dita e djeshme.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të mërkurën pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Ai i hodhi poshtë pretendimet e presidentes Osmani se BE-ja po tregon mungesë të qasjes së barabartë në ndërmjetësimin e dialogut.
“Të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjes, pra nuk është përpjekje e njëanshme që vetëm Kosova t’i marrë ato vendimet e zorshme”, tha Escobar.
Osmani tha se është jetike të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar mes palëve.
“Prandaj, qasja selektive vetëm ndaj neneve të caktuar të marrëveshjes bazike nuk do të ndihmojë, sepse të gjitha nenet kanë rëndësi”, tha ajo.
Pas takimit me opozitën, mbrëmë kreu i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se komunikimi me aleatët strategjikë “është i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës”.
Ai tha se gjatë takimit me Escobarin kanë biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për vizionin “për një të ardhme më prosperuese” për shtetin.
“Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit e ka arritur me SHBA-në, prandaj, partneriteti ynë është i paalternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euro-atlantik”, shkroi Krasniqi në rrjetin social Facebook.
Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në takim ka kërkuar që të rritet niveli i raporteve dypalëshe Kosovë-SHBA.
“Ka progres, por theksova se është shumë e nevojshme që agjenda e shtetit të Kosovës të shtyhet përpara me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe institucionale drejt anëtarësimit në NATO si dhe Qeveria të jetë në bashkëpunim të plotë me aleaten tonë strategjike dhe të përjetshëm, SHBA-në”, shkroi ai në Facebook.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sa i përket takimit të mbrëmshëm me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se në atë takim janë informuar për relacionet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Reporteri.net.
Sipas tij, në atë takim u bë e qartë se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës nuk kanë qenë asnjëherë në nivel më të ulët se sa që janë sot.
“Sa i përket takimit të mbrëmshëm, ishte një takim informues mbi relacionet bilaterale mes Kosovës dhe SHBA-së, për ta thënë më thjeshtë në atë që na u tha qartë dhe zëshëm, nuk kanë qenë as njëherë në nivel më të ulët se sa që janë sot. Mungesa e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë kryesorë, me SHBA-në sjell pasoja për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe kjo gjendje është shqetësuese për ne. Tani Kurti përfaqëson Qeverinë e Kosovës dhe këto pasoja patjetër se barten edhe në fatin e Kosovës. Por është obligim i gjithë neve që të ruajmë dhe kultivojmë këtë relacion se janë të domosdoshme, janë të pazëvendësueshme”, u shpreh ai.