Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se ka pasur një diskutim të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin lidhur me temat për të cilat biseduan.
Pas takimit me Kurtin, duke folur para gazetarëve, Escobar tha se vendimi i Bankës Qendrore për dinarin ka shkaktuar vështirësi për disa qytetarë të vendit.
“Shpresoj që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të martën, sa i përket rregullores së BQK-së”, tha Escobar, duke shtuar se vendimi i BQK-së ua ka vështirësi jetën qytetarëve serbë të Kosovës dhe se SHBA-ja është e shqetësuar.
“Duhet të pranojë se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tash, e këto sfida janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb në Kosovë. Është çështje emergjente humanitare që duhet adresuar menjëherë. Shpresoj që Qeveria është pajtuar të jetë fleksibile në këto diskutime në dialog të martën. Në ndërkohë e kam përgëzuar kryeministrin për vendimin që ka marrë për Deçanin. Ishte vendim i vështirë, por i duhur”, ka thënë Escobar.
Po ashtu theksoi se ka dëgjuar rrëfimet e qytetarëve serbë të Kosovës, për sfidat me të cilat po përballen nga Rregullorja e re e BQK-së.
“Janë ata anëtarët më të cenueshëm, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe studentët. Jam prekur nga rrëfimet e tyre se si vendimi i ka prekur ata. Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shohë disa nga propozimet që ia kam bërë atij sot”, u shpreh Escobar.
I pyetur për kritikat për një qasje të pabalancuar të SHBA-së karshi Kosovës, Escobar deklaroi se çdo gjë që ka bërë SHBA-ja në vitin e fundit ka qenë për Kosovën.
“Menjëherë pas Ohrit kemi përkrahur kandidaturën tuaj për Këshill të Evropës, kemi përkrahur proceset tuaja demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri. Qëndruam me ju pas 24 shtatorit, e kemi marrë vendimin që të ju ofrojnë ‘javelinë’, më shpjegoni se si është e pabalancuar kjo. Çdo gjë që kemi bërë ka qenë për Kosovën e do ta vazhdojmë ta bëjmë këtë. Në ndërkohë shpresojmë që Kosova të dëgjojë shqetësimet tona. Nuk duhet të jetë e vështirë, pasi këta janë qytetarë të Kosovës”, ka thënë Escobar.