Në Ditën e Personave të Pagjetur, më 27 prill në fshatin Sankovc të Drenasit janë gjetur disa eshtra të cilët dyshoheshin se kanë mbetur si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.
Mirëpo, siç duket këto eshtra janë më të vjetra, të cilat sipas të gjitha gjasave janë mbetje të Luftës së Dytë Botërore.
Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Metro edhe drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili ka thënë se të njëjtat janë marrë për hulumtim dhe nuk janë të luftës së vitit 1999.
“Janë marrë të njëjtat, por nuk janë të luftës së fundit në Kosovë, por më të vjetra, me besueshmëri të Luftës së Dytë Botërore”, thuhet në përgjigjen e Gërxhaliut.
Lidhur me rastin, gjatë ditës së djeshme kishte raportuar edhe Policia e Kosovës, të cilët thonë se një person është ankuar se duke kryer punime ka hasur në disa eshtra, të cilat më pas janë marrë nga njësiti përkatës.
“Fsh. Sankovc, Gllogovc 27.04.2020 -14:37. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se deri sa ka qenë duke kryer punime ka hasur në disa eshtra. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti policor dhe janë duke siguruar vendin e ngjarjes deri sa të dalin njësiti përkatës për ti marrë eshtrat”, thuhej në njoftimin e policisë.
Kujtojmë se po në këtë ditë është shënuar edhe Dita e Personave të Pagjetur, e që gjatë këtij përvjetori, në nder të personave të 1641 personave të zhdukur në luftën e fundit, është organizuar që çdo shtëpi të fikë dritat në mbrëmje për disa minuta.
Nga ana tjetër, edhe pse nuk ekzistojnë statistika të sakta për humbjet gjatë uftës së Dytë Botërore në trojet në shqiptare, UNRRA (Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rimëkëmbje) kishte raportuar për rreth 30,000 shqiptarë të vdekur gjatë luftës, 200 fshatra të shkatërruar, 18,000 shtëpi të shkatërruara dhe rreth 100,000 vetë të mbetur të pastrehë.