Misioni i EULEX-it në Kosovë, përmes një deklarate për shtyp ka reaguar për siç është thënë “raportimet e mediave lidhur me përfshirjen e EULEX-it në operacionin e Policisë së Kosovës në veri”.
Në këtë drejtim, përcjell Telegrafi, është thënë se për sa i përket raportimeve të fundit të cilat janë publikuar sot në një numër të mediumeve, EULEX-i dëshiron të theksojë se ky Mision nuk ka qenë asnjëherë dhe në asnjë mënyrë i përfshirë në operacionin e Policisë së Kosovës të quajtur “Kontrabanda”, i cili është kryer të martën që shkoi më 28 maj.
“Prandaj, s’do mend të kuptohet se, asnjë pjesëtar i EULEX-it nuk është ndaluar për asnjë moment në lidhje me këtë”, thuhet më tej në deklaratë.
Natyrisht, siç thuhet tutje, EULEX po kryen dhe do të vazhdojë t’i kryejë detyrat e veta në përputhje me mandatin që ka.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës që si qëllim kishte arrestimin e personave të dyshuar si të përfshirë në krim të organizuar dhe kontrabandë, në mesin e tyre edhe zyrtarë policor dhe doganierë.
Aksioni rezultoi me arrestimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve që penguan aksionin apo që ishin të dyshuar për përfshirje në këto aktivitete jo ligjore.
Siç kanë njoftuar zyrtarët e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni policor, kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës. Gjatë aksionit policor, nga të shtënat me armë zjarri është plagosur një zyrtar policor. Ndërkaq, 4 zyrtarë policorë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta gjatë zbatimit të detyrave.
Operacioni policor ka përfshirë disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas.