Fjalë Kyçe

Familja e Rugovës beson në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit, përmend bashkëpunimin e ish-presidentit me presidentin aktual

Familja e Rugovës beson në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit, përmend bashkëpunimin e ish-presidentit me presidentin aktual

Me shqetësim të madh po i përcjell zhvillimet e fundit në vend familja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Familja Rugova të premten ka lëshuar një deklaratë publike lidhur me “pretendimet për aktakuzë të mundshme të Prokurorisë së Specializuar” ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Në deklaratë është cituar fjala e presidentit të ndjerë, Rugova, në cilësinë e dëshmitarit, në gjykimin ndaj Slobodan Milosheviqit, ku ai kishte folur për UÇK-në.

“Presidenti Rugova në dëshminë e tij në Tribunalin e Hagës ka dhënë shpjegimin e tij të jashtëzakonshëm politik të rrjedhës historike në Kosovën e viteve nëntëdhjeta, duke zbardhur në mënyrën më të qartë të mundshme kush ka qenë agresor dhe okupator dhe kush ka qenë viktimë në Kosovë. Këto rrjedha historike kulmuan në vitet 1998, 1999 me luftën e UÇK-së, të popullit të Kosovës dhe të miqve tanë të mëdhenj, SHBA-së dhe shteteve të Aleancës Veri-Atlantike, për çlirimin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Familja e ish-presidentit ka shkruar për bashkëpunim shumë të veçantë të Rugovës me Hashim Thaçin, në kuadër të delegacionit të Kosovës në Konferencën Paqësore në Rambouille.

“Vetëm një unitet i këtillë politik në kuadër të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, ka mundur të sjell Marrëveshjen e Rambouilletit, pa të cilën Kosova nuk do të çlirohej kurrë. Presidenti Rugova edhe pas luftës, në kuadër të ndërtimit të institucioneve demokratike të Kosovës, ka insistuar në kultivimin e bashkëpunimit politik, veçmas kur bëhej fjalë për temat për interes madhor të vendit, siç ishte Procesi i Vjenës për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Edhe këtu Presidenti Rugova dhe Hashim Thaçi, atëherë si kryetar i PDK-së, kanë qenë së bashku, në kuadër të Ekipit të Unitetit, me synim të arritjes së Pavarësisë së Kosovës”.

Familja Rugova vlerëson se historia e lavdishme e Kosovës e viteve nëntëdhjeta , ka shfaqur vlerat më të larta të popullit të Kosovës dhe ka bërë bashkë Kosovën me SHBA-në dhe me Evropën.

“Këtë histori askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë. Në këtë kontekst, ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli”, thuhet në deklaratë.