Fjalë Kyçe

Familja lehtësohet që Sevdije Kukleci nuk vdiq nga koronavirusi, kërkojnë përgjegjësi

Familja lehtësohet që Sevdije Kukleci nuk vdiq nga koronavirusi, kërkojnë përgjegjësi

Më shumë se një muaj pas vdekjes së një qytetareje nga Peja, raporti i autopsisë ka treguar se ajo nuk ka vdekur nga COVID-19.

Mjekët në mes të muajit prill njoftuan se Sevdije Kukleci, 38-vjeçare, ishte viktima e tetë nga koronavirusi, derisa ajo ishte transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale nga Spitali i Pejës, pas komplikimeve dhe shpërthimit të ulcerës në lukth.

Por, sipas raportit që i është dorëzuar familjes, e ndjera ka vdekur nga sepsa, si pasojë e shpërthimit të ulcerës në zorrë, raporton KOHA.

E ndjera u zhvarros pastaj për t’iu bërë autopsia, pas dyshimeve të familjes se ajo nuk ka vdekur nga koronavirusi, por nga neglizhenca e mjekëve në trajtim.

Të gjithë anëtarët e familjes së saj kishin dalë negativë në testin për COVID-19.

Familjarët po dyshojnë se mjekët, duke u munduar ta fshehin neglizhencën e tyre në trajtimin e problemeve të së ndjerës në lukth, e kanë kthyer rastin duke thënë se ajo ka qenë e infektuar me COVID-19.

Në Spitalin e Pejës e pranojnë se pacientja kur është pranuar nuk ka pasur asnjë simptomë të koronavirusit dhe as nuk është transferuar si e tillë në QKUK.

Sevdije Kukleci u operua fillimisht në lukth në QKUK, e pastaj mjekët ia bënë testin e COVID-19, duke thënë se ajo ishte pozitive.

Pas zhvarrosjes, që u bë me urdhër të Prokurorisë në Pejë, ky institucion ka nisur hetimet për stafin mjekësor në Spitalin e Pejës, për veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Meqenëse Sevdije Kukleci kishte vdekur në Prishtinë, Prokuroria e Pejës këtë lëndë për hetim ia ka përcjellë Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

KOHA ka kontaktuar Institutin e Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë kryer obduksionin e Sevdije Kuklecaj, por zyrtarët në këtë institut nuk kanë pranuar të japin detaje, duke thënë se të gjitha detajet duhet të kërkohen në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Kjo prokurori nuk ka dhënë detaje, por vetëm ka konfirmuar se janë duke zhvilluar hetimet për këtë vdekje.