Fjalë Kyçe

Familjarët rrëmbejnë të vdekurin nga spitali në Maqedoni, dyshohej për COVID-19

Familjarët rrëmbejnë të vdekurin nga spitali në Maqedoni, dyshohej për COVID-19

Në një spital të Maqedonisë së Veriut, dhjetëra anëtarë të një familjeje kanë hyrë me dhunë në Klinikën Infektive dhe kanë marrë me gjithë krevat trupin e pajetë të të afërmit të tyre 49 vjeçar, që kishte ndërruar jetë pak minuta pasi ishte pranuar në spital.

Drejtori i spitalit të Strumicës, Naçe Gonov ka thënë për Alsat se gjithçka i ngjante filmit horror.

Ai u ka thënë medieve se kjo ka ndodhur të hënën në mëngjes, kur një grup prej 20 personave kanë arritur të futen në spital prej nga e kanë nxjerrë me gjithë krevat viktimën, 49 vjeç nga Strumica.

“Stafi i spitalit nuk mundi të bënte asgjë pasi ishte një grup i madh. Drejtuesit e spitalit iu shmangën incidentit ndërsa rastin e paraqitën në polici”, ka deklaruar ai.

Mjekët nuk kishin arritur ta testojnë pacientin për koronavirus, por bazuar në simptomat dhe gjendjen e rëndë shëndetësore, nga spitali kanë thënë se me gjasë viktima ishte i infektuar me këtë virus.

Nga spitali thonë se megjithatë testimi do të bëhet me asistencë të policisë, pasi familjarët nuk do të mund ta varrosin atë pa lejen e institucioneve përkatëse. Në Maqedoninë e Veriut edhe në raste tjera janë testuar persona pas vdekjes.

Strumica është në mesin e qyteteve maqedonase me numër të lartë të të infektuarve.