Fjalë Kyçe

Fantastike, Kosova në Kampionatin Botëror

Fantastike, Kosova në Kampionatin Botëror

Kombëtarja e Kosovës në grupmoshën U21 në hendboll për meshkuj do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror për grupmoshën përkatëse, që zhvillohet në Spanjë nga data 16 deri më 28 korrik të këtij viti.

Kosova deri tek ky sukses i madh, arriti duke u shpallur kampione e Trofeut të IHF-së, faza Interkontinentale (IHF Trophy Intercontinental Phase), pasi në finale shënoi fitore ndaj Taipeit Kinez.

Finalja e kësaj gare ndërmjet Kosovës e Taipeit Kinez përfundoi me fitoren e Kosovës U21 me rezultat 30:26, në takimin e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Ka qenë kjo një fitore që kurorëzoi një punë të shkëlqyeshme të një gjenerate të hendbollistëve, të udhëhequr nga selektori Fatmir Muhaxheri dhe që do ta shënojë këtë brez si ekipin e parë kombëtar të Kosovës, që merr pjesë në ndonjë kampionat botëror në sporte ekipore.

Insporti raporton se e njëjta gjeneratë e lojtarëve, vitin e kaluar kishin fituar turneun IHF Trophy për Evropë si grupmoshë U20, që edhe ua kishte dhënë mundësinë të garojnë në IHF Trophy Intercontinental, me kampionët e kontinenteve tjera.

Meqë edhe gara evropiane, edhe ajo interkontinentale ishin zhvilluar në Kosovë, ishte ky një rast i veçantë që Federata e Hendbollit e Kosovës të dëshmohet si organizatore e ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare, raporton Insporti, duke shtuar se finalen e fazës interkontinentale, e përcollën rreth 1000 shikues në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, të clët patën rast të jenë dëshmitarë të një arritjeje të madhe të hendbollit tonë.

Duhet thënë se Kosova e kishte mundur Taipein Kinez edhe në fazën e grupeve në këtë garë, kurse fitore kishte shënuar edhe ndaj Nigerisë dhe Paraguajit.