Fjalë Kyçe

Fazlija e kënaqur me fitoren ndaj Estonisë

Fazlija e kënaqur me fitoren ndaj Estonisë

Përzgjedhësja e Kosovës në futboll (femrat), Afërdita Fazlija është ndarë e kënaqur me fitoren përballë Estonisë.

Kosova të premten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” triumfoi me rezultatin 2:0 kundër Estonisë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2021”.

Fazlija pas ndeshjes tha se ishte një fitore që e ka bërë të ndihet mirë për faktin se të gjitha futbollistet ishin të klubeve të vendit, me përjashtim të Erëleta Memetit e Edona Kastratit që bëjnë karrierë jashtë. “Realisht, pjesëloja e parë ishte fytyra e Kosovës. E kemi pasur parasysh se përgatitja fizike mund të jetë ana jonë më e dobët dhe më shumë jemi përgatitur taktikisht për Estoninë gjatë grumbullimit. Ishte një fitore e mundimshme duke pasur parasysh përgatitjen fizike si dhe telashet që kemi pasur ku nuk kemi mundur t’i kemi të gjitha lojtaret në dispozicion”, ka thënë Fazlija.

“Në pjesëlojën e dytë thjeshtë jemi munduar ta mbajmë topin dhe ta ruajmë rezultatin deri në fund që edhe e arritëm. Me vetëm dy lojtare që bëjnë karrierë jashtë vendit, kjo fitore më bën të ndihem mirë sepse pjesa tjetër e lojtareve ishte nga Kosova”.