Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) ndryshoi autorizimet e përdorimit urgjent për vaksinat Moderna dhe Pfizer-BioNTech për të lejuar disa njerëz me sistem imunitar të komprometuar të marrin një dozë të tretë.
Ndryshimi në rregulloren e FDA-së është specifik për pacientët të cilët nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë një përgjigje imune të përshtatshme kundër virusit COVID-19, edhe pasi janë vaksinuar plotësisht. Shpresa, thonë ekspertët, është se doza shtesë do t’u sigurojë këtyre pacientëve nivele mbrojtjeje që shihen tek njerëzit pa sistem imunitar të dobësuar.
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rreth 2.7 përqind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara kanë sistem imunitar të kompromentuar. Kjo përfshin marrësit e transplantit të organeve, pacientë të caktuar me kancer dhe njerëzor me HIV, raporton nbcnews.
“Veprimi i sotëm i lejon mjekët të rrisin imunitetin tek individë të caktuar me imunitet të kompromentuar që kanë nevojë për mbrojtje shtesë nga COVID-19. Siç kemi thënë më parë, individët e tjerë që janë plotësisht të vaksinuar janë të mbrojtur në mënyrë adekuate dhe nuk kanë nevojë për një dozë shtesë të vaksinës COVID-19 në këtë kohë”, ka thënë komisioneri në detyrë i FDA-së, Janet Woodcock.
“Ky veprim ka të bëjë me sigurimin e njerëzve tanë më të prekshëm – të cilët mund të kenë nevojë për një dozë shtesë për të rritur përgjigjet e tyre biologjike ndaj vaksinave – të mbrohen më mirë nga COVID-19,” tha Drejtori i CDC-së, Rochelle Walensky.
Ndryshimi i FDA-së nuk zbatohet për popullatën e përgjithshme. Doza të tilla përforcuese do të jepeshin vetëm nëse mbrojtja nga vaksinat do të binte nën një prag të caktuar – megjithëse shkencëtarët ende po punojnë për të përcaktuar saktësisht se cili është ai prag.
“Nëse të dhënat tregojnë në fakt se shkalla e mbrojtjes ka zbritur nën një nivel kritik,” tha Anthony Fauci, kreu i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, “ai do të ishte momenti kur do të dëgjoni për zbatimin e vaksinës përforcuese” në popullatën e përgjithshme.