Fjalë Kyçe

Federata e Çekisë mohon se Ronaldo ka thyer rekordin për më së shumti gola

Federata e Çekisë mohon se Ronaldo ka thyer rekordin për më së shumti gola

Federata e Futbollit e Çekisë i ka kundërshtuar pretendimet se sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, e ka thyer rekordin si golashënuesi më i mirë në histori të futbollit të mërkurën.

Çekët kanë nënvizuar se portugezit i duhen edhe 62 gola tjerë për ta thyer rekordin e Josef Bicanit.

Ronaldo, rë mërkurën, shënoi golin e 760-të në fitoren 2:0 të Juventusit në Superkupën e Italisë kundër Napolit. Nga shumë media evropiane u vlerësua se sulmuesi më i mirë në histori të kësaj loje, ka kaluar rekordin e sulmuesit çeko-austriak Bican, që në total llogaritet se ka 759 gola. Por, Federata e Futbollit e Çekisë ka thënë se totali i golave të Bicanit në të vërtetë është 821, pas rishikimit të statistikave në karrierën e tij.

“Komiteti për Histori dhe Statistika i Ferderatës së Futbollit të Çekisë i ka numëruar të gjitha golat nga legjenda Josef Bican dhe mund të deklarojmë se ai ka shënuar 821 gola në ndeshje zyrtare”, thuhet në një postim të bërë nga federata çeke në “twitter”.

Një deklaratë në faqen zyrtare të organit qeverisës i numëroi golat e Bicanit për klubin dhe shtetin në karrierën e tij 24-vjeçare, prej vitit 1931 deri më 1955.

“Janë përfshirë golat nga ndeshjet në ligën e parë dhe të dytë, kupat shtetërore, kupat ndërkombëtare të Evropës Qendrore dhe përfshirjet në Përfaqësuese”, thuhet në komunikatë. “Përkundrazi, ndeshjet miqësore nuk janë përfshirë në statistika, me përjashtim të ekipit shtetëror. Mund të thuhet me seriozitet të plotë se ky numër korrespondon me gjendjen aktuale të të gjitha të dhënave dhe është numri më i saktë i mundshëm”.

Titulli i golashënuesit më të mirë në histori është kontestuar vazhdimisht, ndërsa FIFA nuk mban të dhëna për një rekord zyrtar. Sulmuesit brazilianë, Pele dhe Romario, kanë shënuar më shumë se 1000 gola gjatë karrierës së tyre, por këto statistika përfshijnë gola të shënuar në ndeshje amatore, jozyrtare dhe miqësore.