Federata e Hendbollit e Kosovës ka kërkuar nga Federata Evropiane e Hendbollit (EHV) të shtyhen ndeshjet kualifikuese mes Kosovës dhe Bjellorusisë, në konkurrencën e vashave, për shkak të koronavirusit.
Ndeshja mes Kosovës dhe Bjellorusisë ishte planifikuar dillimisht të luhet më 25 mars në Prishtinë, kurse ndeshja tjetër më 29 mars në Minsk.
“FHK-ja është në komunikim intensiv me EHF-në dhe pritet që të aprovohet kërkesa jonë. Nëse kërkesa aprovohet, ndeshjet luhen në javën e parë të qershorit”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Federata kosovare.
Në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë së Kosovës u mor vendim që të gjitha aktivitetet sportive që do të mbahen në Kosovë deri më 27 mars do të mund të zhvillohen por pa praninë e shikuesve.
Ndërkaq, ministrja e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Inovacionit, Vlora Dumoshi, tha se ngjarjet sportive nuk do të ndalohen, por do të ndalohet pjesëmarrja e shikuesve.
Më vonë, edhe Federata e Futbollit e Kosovës e konfirmoi këtë vendim, duke thënë se përderisa ndeshjet në kategorinë e seniorëve do të zhvillohen pa tifozë, ndeshjet në kategoritë e juniorëve dhe grupmoshave të reja do të pezullohen përkohësisht, përderisa as lojtarët s’do të përshëndeten me duar para ndeshjeve.