Ferizaj është bërë komuna me më së shumti raste pozitive me koronavirus në Kosovë, ku deri më tani janë infektuar 81 qytetarë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se sot më 17 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 209 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.
Me SARS-CoV-2, pozitiv sot janë diagnostikuar gjithsej 31 raste.
Rastet pozitive janë raste kontakti, ku 15 raste janë nga komuna e Ferizajit, ndërsa tjerat janë 9 raste nga komuna e Vitisë, 2 raste me vendbanim në Prishtinë dhe me nga 1 rast vendbanimet: Miradi e epërme-Fushë Kosovë, Skenderaj, Vojnovc-Shtime, Sllatinë-Leposaviq dhe Zubin Potok .
Para një jave në Ferizaj u konfirmuan rastet e para me COVID-19, ndërkaq pas një jave ky qytet i numëron 81 raste pozitive dhe bëhet komuna me më së shumti raste me koronavirus në Kosovë.
Nga 81 raste gjithsej, 2 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet si pasojë e koronavirusit.
Deri sot Malisheva ishte vatra e këtij virusi, por tash kjo komunë renditet e dyta me 70 raste të konfirmuara me COVID-19.
Ndërkaq në Kosovë nga data 08 shkurt deri më 17 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 4.124 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 480, me 12 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.