Fjalë Kyçe

FFK e konfirmon: Do të testohen të gjithë futbollistët

FFK e konfirmon: Do të testohen të gjithë futbollistët

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se në koordinim me Ministrinë e Shëndetsisë janë duke u përgatitur të testojnë të gjithë futbollistët dhe stafet e klubeve të Superligës.

FFK ishte në presion të madh këto orët e fundit, pasi fillimisht vendosën për rinisjen e Superligës dhe më pas futbollisti i Dritës, Izair Emini testoi pozitiv për Covid-19.

Kjo ishte shkas që disa nga klubet, që janë kundër organit më të lartë të futbollit në Kosovë, t’i bëjnë presion Federatës për testimin e të gjithë akterëve ose anulimin e kampionatit, shkruan lajmi.net.

Megjithatë, FFK sapo ka konfirmuar se testimi i futbollistëve dhe stafeve të klubeve do të kryhet sa më shpejt në koordinim me Ministrinë e Shëndetsisë dhe IKSHPK-n.

Njoftimi i plotë:

”Federata e Futbollit e Kosovës njofton klubet, futbollistët dhe opinionin e gjerë që është në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe shumë shpejt do të fillojë testimi i të gjithë futbollistëve dhe stafeve të klubeve të Superligës për Covid-19. Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i IKSHPK-së, prof.dr. Naser Ramadani, me kërkesë të FFK-së, i kanë ndërmarrë të gjitha masat për t’i siguruar testet e nevojshme për futbollistët dhe stafin e klubeve dhe tashmë janë krijuar edhe ekipet mjekësore të cilat do t’i kryejnë testimet tek futbollistët në çdo klub.

Andaj, FFK kërkon nga futbollistët që të jenë të qetë dhe të vazhdojnë punën pa panik me udhëzimet e parapara nga IKSHPK, me shpresë dhe besim se i gjithë procesi i testimit do të kalojë mirë dhe asnjë prej futbollistëve nuk do të rezultojë pozitiv në Covid-19.

Me këtë rast kërkojmë nga të gjithë ata të cilët po reagojnë pa sens dhe pa dijeni, që të kenë kujdes për pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të zbatojnë në përpikëri udhëzuesin dhe protokollin higjieno-sanitar për stërvitje të dërguar nga FFK dhe t’u krijojnë sa më shumë lehtësira dhe siguri futbollistëve në këtë periudhë.

FFK falënderon edhe një herë ministrin Vitia dhe IKSHPK-në për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar në luftimin e pandemisë Covid-19 si dhe për mirëkuptimin e tyre për rifillimin e aktiviteteve të futbollit.

Urojmë që edhe këtë sprovë ta kalojmë me sukses.

Shëndet e punë të mbarë për të gjithë futbollistët!”.