Fjalë Kyçe

FFK-ja i ofron përkrahje të plotë Challandesit dhe nxjerr të mirat nga ndeshja me Spanjën

FFK-ja i ofron përkrahje të plotë Challandesit dhe nxjerr të mirat nga ndeshja me Spanjën

Kosova e nisi me rezultate negative ciklin kualifikues për Kampionatin Botëror të futbollit, “Katari 2022”. Fillimisht u mposht nga Suedia në Prishtinë me shifrat 3:0, kurse të mërkurën mbrëma humbi nga Spanja në Sevilla me rezultatin 3:1.

Disfata nga spanjollët superiorë, megjithatë, po shihet si përvojë e madhe e Kosovës për ndeshjet e radhës.

Drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, ka thënë të enjten për KOHËN se angazhimi i lojtarëve kundër Spanjës ka qenë i madh. Ai ka theksuar se janë ndarë të kënaqur me atë që kanë treguar lojtarët dhe ndeshja sipas tij është një përvojë që do të shërbejë shumë.

“Kundër Spanjës jam i kënaqur me angazhimin, me mënyrën se si jemi paraqitur, duke e ditur që përballë kemi pasur ish-kampionen e botës dhe Evropës. Ndeshja ndaj Spanjës do të na shërbejë si një përvojë e mirë, si një përvojë që do ta përdorim për kundërshtarët e tjerë. Jemi të kënaqur me disiplinën dhe me lojën që treguan lojtarët”, tha Sahiti. Ai më herët ishte në shtabin teknik të përfaqësueses, por është graduar në pozitën e drejtorit.

Ai foli edhe për dy ndeshjet e tjera të muajit mars. Për duelin miqësor me Lituaninë tha se në FFK janë të kënaqur me fitoren, por jo me fazën defansive. Kurse takimin me Suedinë e ka cilësuar si “paraqitja më e zbehtë”. Sahiti ka pohuar se ndaj suedezëve ka munguar edhe përgjegjësia në fushë.

“Me Lituaninë luajtëm me një kundërshtar jo të nivelit tonë. Paraqitja ishte e mirë dhe jemi të kënaqur me fitoren, por jo edhe me fazën defansive ku kemi bërë disa gabime. Fituam 4:0, në rregull, por e kam thënë edhe pas ndeshjes se nëse bëjmë këso gabime me Suedinë dhe Spanjën, mund të penalizohemi. Kjo edhe ndodhi. Me Suedinë nuk jemi të kënaqur jo vetëm me rezultatin, por edhe me paraqitjen dhe vrapimin e lojtarëve. Ka pasur mungesë të përgjegjësisë e angazhimit, dhe si rezultat i kësaj pësuam. Mendoj që kemi mundur të bëjmë më shumë ndaj Suedisë, edhe përkundër mungesave”, ka theksuar Sahiti, që ka qenë në të kaluarën edhe në postin e selektorit.

Sahiti insiston se atmosfera brenda grupit të lojtarëve të Kosovës është e mirë. Ai foli edhe për zëvendësimin e Milot Rashicës në Sevilla. Rashica shkoi direkt në dhomat e zhveshjes.

“Atmosfera është e mirë. Lojtari nuk e ka për obligim të qëndrojë në bankën e rezervistëve kur të zëvendësohet. Ai mund të qëndrojë aty ku ndihet më mirë. Mund të bëjë dush, rigjenerim dhe mund të shkojë të flasë me stafin e mjekëve për ndonjë shqetësim rreth ndonjë lëndimi. Nuk ka pakënaqësi”, deklaroi ish-ndihmësi i Bernard Challandesit.

Sahiti konfirmon se përzgjedhësi Bernard Challandes e ka përkrahjen e plotë të FFK-së për ta vazhduar punën. Thekson se nuk ka rëndësi se çka thuhet nga kritikët, por kush i thotë kritikat. Sipas Sahitit, behane mund t’i gjenden edhe Kloppit, Mourinhos dhe Guardiolas, trajnerëve të vlerësuar botërorë.

“Challandesi e ka besimin e plotë për të vazhduar punën. Ne nuk varemi nga ajo se çka thotë, por kush e thotë atë. Përkrahja është e madhe. E ka dëshmuar veten edhe në të kaluarën. Nëse duan të gjejnë behane, mund të gjejmë edhe te Kloppi, te Mourinho e Guardiola. Jo çdoherë duhet të vlerësohesh për një ndeshje, por edhe për rrethanat e tjera, shembull mungesën e shumë lojtarëve. Një vit po bëhet që nuk po i kemi të gjithë lojtarët kryesorë të gatshëm. Edhe këto duhet të merren për bazë. Nëse vlerësohet drejt, duhet të vlerësohet drejt, jo për interesat e dikujt dhe kjo nuk është e mirë. Nëse ne e shohim se nuk po funksionon, do ta themi vetë. Ai po e bën punën shumë mirë dhe presim rezultatet”, shtoi Sahiti.

Drejtori i përfaqësuese konfirmoi se në muajin qershor Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore. Sipas tij, ende nuk dihen kundërshtarët.

“E kemi të obliguar. Datat e muajit qershor janë të rezervuara për ndeshje miqësore. Shumë shpejt do të gjejmë kundërshtarët që do t’i kemi për muajin qershor. Sigurisht do t’i kemi dy kundërshtarë. Varet cilët do të jenë dhe ku do të luhen ndeshjet. Mund të jenë të dyja ndeshjet në Prishtinë ose një në Prishtinë dhe një jashtë Kosovës. Kemi biseda me disa përfaqësuese dhe besoj që javën tjetër vendoset se me kë do të luajmë. Është opsion që njërin kundërshtar mund ta kemi që do të luajë në Kampionatin Evropian dhe njëri jo”, përfundoi Muharrem Sahiti.

Kosova bën pjesë në Grupin B kualifikues për Botërorin e vitit 2022, që do të mbahet në Katar. Kjo është hera e dytë që “Dardanët” po marrin pjesë në eliminatore për Botëror. Pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani, Kosova renditet në pozitën e fundit me zero pikë. Në këtë grup, Spanja është lidere me 7 pikë pas tri ndeshjeve. Suedia zë vendin e dytë me gjashtë pikë nga dy takime, Greqia ka dy pikë në vendin e tretë, kurse Gjeorgjia është e katërta me 1 pikë.

Ndeshjet e ardhshme kualifikuese, Kosova i luan në shtator. Më 2 shtator luhet ndeshja Gjeorgji – Kosovë.