Fjalë Kyçe

FFK-ja reagon ashpër për ata që e kritikuan, ja çka thotë për ndeshjen e pezulluar Drita – Linfield

FFK-ja reagon ashpër për ata që e kritikuan, ja çka thotë për ndeshjen e pezulluar Drita – Linfield

Federata e Futbollit të Kosovës më në fund ka bërë një reagim sa i përket ndeshjes së pezulluar Drita – Linfield.

Takimi final i para-kualifikimeve të Ligës së Kampionëve u anulua për shkak të rasteve me COVID-19 të ekipi kosovar.

Ka mjaftuar kjo që kritikat drejt FFK-së të mos kenë fund, duke u akuzuar për menaxhim të dobët dhe testim të pakët kur u vendos që Superliga të rifillonte, shkruan lajmi.net.

Në reagimin e vet, shtëpia e futbollit në Kosovës ka marrë shembull se si Atletico e Sevilla kanë pasur të infektuar në kompeticione më të rëndësishme, por që ndeshjet e tyre nuk janë pezulluar. FFK thotë se janë duke pritet vendimin final nga UEFA, ndërsa për njerëzit që i kanë akuzuar thonë se ata dalin nëpër portale dhe televizione vetëm të përgojojna.

Reagimi i plotë: 

Çështja e parë është pezullimi i ndeshjes finale të parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve ndërmjet Dritës dhe Linfieldit, që erdhi si pasojë e mospërputhjes së protokolleve të UEFA-s për ndeshjet në kohën e pandemisë COVID-19 me protokollet e shtetit zviceran, aty ku ishte paraparë të zhvillohej ndeshja. Pra, nuk ka të bëjë asgjë me mirë apo keqmenaxhim të situatës me pandeminë në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe FFK, por thjesht me masat që i zbaton secili shtet në rastet e paraqitjes së personave të infektuar me COVID-19.

Edhe klube tjera që luajnë nën ombrellën e UEFA-s kanë pasur lojtarë që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, siç janë edhe rastet e fundit të dy klubeve spanjolle, Atletico Madrid dhe Sevilla, por që ndeshjet e tyre nuk janë pezulluar. Prandaj njerëzit që dalin dhe filozofojnë me deklarata nëpër TV dhe portale thjesht nuk duan të flasin me argumente dhe ta pranojnë të vërtetën, por qëllimisht shfrytëzojnë edhe raste të tilla si kjo që ta përgojojnë FFK-në me deklarata të pabaza dhe të kota. Sa i përket kësaj ndeshjeje tani jemi në pritje të vendimit përfundimtar të UEFA-s.

Do theksuar se FFK qysh nga fillimi shfaqjes së virusit COVID-19 në fillim të muajit mars ka marrë të gjitha masat për t’i mbrojtur dhe ndihmuar klubet dhe futbollistët e të gjitha rangjeve, derisa para rifillimit të kampionatit në muajin qershor në bashkëpunim me institucionet shëndetësore dhe organet tjera shtetërore ka bërë testimin e të gjitha skuadrave të Superligës për COVID-19 dhe me ekipin e saj mjekësor e ka përpiluar protokollin sanitar në mbrojtje nga ky virus. Gjatë muajve të kaluar është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe falë përkushtimit të të gjithë pjesëmarrësve është arritur të përfundohet me sukses edicioni garues 2019/20.