Fjalë Kyçe

FFK-ja u bën thirrje klubeve t’i respektojnë masat anti Covid-19, ndryshe sezoni ndërpritet

FFK-ja u bën thirrje klubeve t’i respektojnë masat anti Covid-19, ndryshe sezoni ndërpritet

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) u ka bërë thirrje klubeve ta zbatojnë në përpikëri protokollin e Qeverisë për mbrojtje ndaj Covid-19 dhe masat kundër përhapjes së pandemisë, ndryshe paralajmëron se kampionati do të pezullohet – pas vërejtjeve që i ka marrë për praninë e një numri të madh shikuesve në një ndeshje të mesjavës në Superligë.

Sezoni i ri 2020/21 në Superligë nisi në një kohë pasigurie dhe kur sporti ndalohej me dekretin e Qeverisë para 10 ditëve, me ndeshjen e fituar nga klubi i sapopromovuar Arbëria kundër Trepçës ’89.

Por këtë javë, sporti është lejuar përsëri në vend pas një vendimi të ri të Qeverisë Hoti, i cili, megjithatë, i paralajmëron federatat se do t’ua ndërpresë kampionatet nëse protokolli i saj nuk zbatohet.

Pavarësisht se ndeshjet mund të zhvillohen vetëm prapa dyerve të mbyllura, disa klube ua kanë hapur ato shikuesve të vet, siç është rasti i ndeshjes mes Ballkanit dhe Feronikelit në Suharekë.

Dhe FFK-ja u ka bërë thirrje klubeve t’i përmbahen protokollit, pavarësisht kushteve të vështira infrastrukturore me të cilat përballet ato.

“Federata e Futbollit e Kosovës kërkon nga të gjitha klubet që ta respektojnë në mënyrë strikte protokollin dhe masat anti Covid-19, në mënyrë që të mos vjen deri te ndërprerja e aktivitetit. Organet kompetente i kanë dhënë vërejtje serioze FFK-së për mosrespektimin e këtij protokolli në disa prej ndeshjeve të zhvilluara deri më tash dhe në rast se një gjë e tillë përsëritet, atëherë do të bëhet pezullimi i aktiviteteve”, thuhet në një reagim të FFK-së.

Ndeshja mes Ballkanit dhe Feronikelit në mesjavë u ndërpre për rreth 10 minuta, pasi gjyqtari e vërejti një numër të madh të tifozëve të pranishëm në tribuna dhe urdhëroi largimin e tyre.

Prandaj organi qeverisës i futbollit në vend u ka bërë thirrje klubeve të mos lejojnë persona të paautorizuar dhe tifozë brenda stadiumeve gjatë ndeshjeve.

“Andaj, FFK u bën thirrje të gjitha klubeve që të jenë vigjilente dhe strikte në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga protokolli i institucioneve shëndetësore në luftën kundër Covid-19, derisa kërkon nga të gjitha personat zyrtarë dhe organet e saj që të mos lejojnë fillimin e asnjë ndeshjeje në rast se do të ketë persona të paautorizuar në stadiumet e futbollit.”