Federata e Futbollit e Kosovës ka vlerësuar se fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë është gati për ndeshjet e ardhshme. Por në FFK nuk kanë bërë të ditur se kur do të lëshohet për shfrytëzim.
Me shumë gjasë, fusha pritet të lëshohet për ndeshjet e shtatorit, kur Kosova nis edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Fusha e stadiumit të qytetit të Prishtinës u testua me ndeshjen e futbollisteve të Kosovës dhe Ukrainës, ndeshje e cila i takoi kualifikimeve për “Euro 2025” para pak ditëve.
“Rikthimi i këtij stadiumi në funksion pas rinovimit u testua me sukses gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2025 ndërmjet Kosovës dhe Ukrainës. Ndeshja u zhvillua pa asnjë problem teknik dhe fusha u vlerësua me notë të lartë, duke siguruar kështu gatishmërinë e saj për të pritur ndeshjet e ardhshme të rëndësishme”, shkruan në njoftimin e FFK-së, pas vizitës së bërë në stadium të kryetarit Agim Ademi dhe ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Ndërrimi i tërësishëm i tapetit, shtetit i kushtoi 1.3 milionë euro.