Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se nuk do të ketë bileta në shitje për ndeshjen kundër Greqisë, kjo për shkak të masave të reja të qeverisë për parandalimin e pandemisë.
Vetëm 10 për qind e hapësirës së stadiumit do të jetë në dispozicion dhe kjo hapësirë do të jetë e rezervuar për të dyja ekipet, tifozerinë “Dardanët” , protokollin e shtetit dhe stafin organizativ. Të gjitha biletat për këta pjesëmarrës do të jenë falas, sipas FFK-së.
Sipas rregullave të fundit të qeverisë për mbrojtje nga COVID-19, pjesëmarrësit për të hyrë në stadium duhet që bashkë me biletën të paraqesin edhe këto dokumentet si më poshtë:
– Certifikatën e vaksinimit për vaksinën e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19.
– Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë.
– Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik-igG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve.
– Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Kërkojmë nga pjesëmarrësit të respektojnë masat antiCovid duke mbajtur maskat, duke ruajtur distancën me rregulla të UEFA-së dy karrige të lira në mes. Thyerja e rregullave antiCovid nga ana juaj, çon në dënim të FFK-së nga UEFA dhe personat të cilët identifikohen për shkeljen e këtyre rregullave do të penalizohen me largim nga stadiumi.