Fjalë Kyçe

Filloi edicioni i 11-të i kampit “Elita U15” në Durrës

Filloi edicioni i 11-të i kampit “Elita U15” në Durrës

Me një minutë heshtje dhe më pas me duartrokitje frenetike nga të gjithë pjesëmarrësit në nderim të ish-presidentit, Fadil Vokrri, ka filluar edicioni 11-të i Kampit zhvillimor i të rinjve elitar për grupmoshën U15.

Ky kamp po organizohet në Durrës me pjesëmarrjen e 8 ekipeve të përzgjedhura nga shtatë Lidhjet Rajonale të Futbollit të Kosovës. Në hapje të këtij kampi ishte pjesëmarrës edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili para njomakëve pjesëmarrës të këtij kampi u shpreh:

“Ky është një kamp që organizohet tash e 11 vjet në vazhdimësi nga FFK-ja. Për ju si futbollistë të rinj kjo është një mundësi e mirë për t’i treguar vlerat tuaja. Ju faktikisht jeni ajka e futbollit në Kosovë për grupmoshat nën 15-vjeç dhe faktikisht ky kamp është program i zhvillimit të elitës së talenteve. Jam i bindur që një pjesë e juaja në të ardhmen do të jeni edhe pjesë e ekipeve kombëtare, prandaj vazhdoni punoni me përkushtim sepse është nder dhe krenari ta mbani simbolin e shtetit tuaj në fanellë”.

Ndërkaq, menaxheri i këtij projekti, Ajet Shosholli theksoi se organizimi i këtij kampi për vite të tëra dëshmon seriozitetin dhe interesimin e FFK-së për avancimin e grupmoshave të reja. “Qëllimi i këtyre kampeve është që ne si trajnerë t’i vlerësojmë futbollistët më të mirë, prandaj futbollistëve nuk u mbetet tjetër veçse të tregojnë talentin e tyre pa ngarkesë psikologjike për rezultate”, ka thënë Shosholli.

Ky është një program në të cilin futbollistët e kësaj grupmoshe janë përcjellë nga trajnerët nëpër regjione përgjatë një periudhe 1-vjeçare dhe janë mbikëqyrë nga trajnerët e ekipeve kombëtare për t’u mbledhur më të mirët në kampin treditor në Durrës.

Gjatë këtij kampi do të luhen ndeshjet në dy grupe me nga katër ekipe, e ku fituesit e grupeve do të ballafaqohen në ndeshjen finale, e cila do të zhvillohet më vonë në Kosovë.