Fjalë Kyçe

Fillojnë pagesat e sigurimeve bujqësore për fermerët kosovarë

Fillojnë pagesat e sigurimeve bujqësore për fermerët kosovarë

Fermerët e Kosovës me fillimin e sigurimit për prodhimet e tyre do të kenë mundësi më të mira për të pasur më shumë siguri ne kulturat bujqësore që i kultivojnë.

Për herë të parë në Kosovë kanë filluar pagesat e para të dëmshpërblimit për fermerët që kanë blerë polisat e para të sigurimit bujqësor në vend.

Për gati dy vjet, Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC, anëtare e Grupit të Bankës Botërore), në kuadër të projektit për financimin e bujqësisë në Evropë dhe Azi Qendrore, ka punuar ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në krijimin e sistemit të sigurimeve bujqësore në Kosovë. Sistemi i sigurimeve bujqësore është ndërtuar për të përmirësuar konkurrencën dhe nxitur zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

Në ceremoninë zyrtare të pagesave të para që është mbajtur në Prishtinës, pjesëmarrës ishin akterët kryesorë të përfshirë në këtë projekt, duke filluar prej MBPZHR-së, IFC-së, Shoqatës së Kompanive të Sigurimit, kompanitë e sigurimit, fermerët dhe akterë të tjerë.

Drejtori i Departamentit për Politika Bujqësore dhe Tregje në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Isuf Cikaqi, tha se MBPZhR-ja së bashku me IFC-në kanë zhvilluar gjashtë (6) produkte të sigurimit bujqësor e që janë: Molla, Kumbulla, Mjedra, Dredhëza, Rrushi dhe Speci.

“Në vitin 2019 kemi filluar me kulturën bujqësore të Mjedrës e cila është kultura e parë bujqësore që është pilotuar për sigurim bujqësor. Rezultatet e këtij pilotimi na kanë treguar që i tërë sistemi tashmë i krijuar i sigurimeve bujqësore indeks ka funksionuar si është më së miri. Prandaj ne jemi të interesuar që të vazhdojmë edhe me produkte tjera për sigurimet bujqësore, duke filluar me rrushin që i fillon faza e sigurimit në muajin Dhjetor”, tha Isuf Cikaqi, Drejtor i Departamentit për Politika Bujqësore dhe Tregje në Ministri të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Kurse Syzana Dautaj, koordinatore e projektit nga IFC-ja, tha se sistemi i sigurimeve bujqësore implementohet për herë të parë në vend dhe tani bujqit në Kosovë mund t’i sigurojnë kulturat e tyre bujqësore, gjë që do t’u mundësojë atyre uljen e rrezikut nga faktorët klimatikë dhe mbrojtjen e investimeve të tyre. “Duke pasur parasysh nevojat e tregut dhe interesimin e madh për një sistem modern dhe të qëndrueshëm të sigurimeve bujqësore, ne besojmë se të gjithë hisedarët bashkërisht do ta promovojnë dhe përdorin këtë sistem në mënyrë që të bëhet më i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në të ardhmen””, tha Syzana Dautaj, koordinatore e projektit nga IFC-ja.

Ndërsa në emër të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku falënderoi IFC-në dhe MBPZHR-në për ndihmën që i kanë dhënë sektorit të sigurimeve në Kosovë për krijimin e sistemit të sigurimeve bujqësore për herë të parë në vend dhe për sjelljen e përvojave ndërkombëtare për tregun e sigurimeve në Kosovë.

“Sot në këtë ceremoni, zyrtarisht përcjellim pagesat e para të dëmshpërblimeve për fermerët e siguruar dhe njëkohësisht urojmë që shembullin e kompanisë Elsig dhe të fermerëve të siguruar ta përcjellin edhe kompanitë tjera dhe fermerët, pasi që shumë shpejtë do të fillojë periudha siguruese për rrushin dhe mollën ku do të krijohet mundësi e re për këtë sektor që të tejkalohen rreziqet e motit përmes sigurimeve bujqësore. Ne si Shoqatë e Sigurimeve do të vazhdojmë të jemi pranë kompanive të sigurimeve dhe fermerëve për të avancuar tutje produktet e sigurimeve bujqësore dhe për të krijuar produkte të reja të interesit në bashkëpunim edhe me MBPZHR-në” – tha Mazreku.

Sipas tij krijimi i sistemit të sigurimeve bujqësore do të ndihmojë sektorin e sigurimeve për të zhvilluar kapacitetet e tyre, për të rritur tregun e sigurimeve, për të qenë më konkurrues në rajon, për të diversifikuar portofolet e tyre dhe për të gjeneruar më shumë të ardhura, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në buxhetin e vendit.

“Ne si shoqatë kemi qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me IFC dhe kemi asistuar në organizime, takime, fushata të ndryshme që kanë qenë të shumta gjatë këtyre dy viteve. Sot ndihem rehat të them se për 2 vite punë të pandalshme, IFC ka arritur të ndryshojë qasjen e fermerëve ndaj sigurimeve bujqësore dhe qasjen e kompanive të sigurimit ndaj rreziqeve sistemike të motit”, tha ai.