Fjalë Kyçe

Fillojnë shërbimet specialistike në QKUK, do të bëhet hapja graduale e të gjitha shërbimeve shëndetësore

Fillojnë shërbimet specialistike në QKUK, do të bëhet hapja graduale e të gjitha shërbimeve shëndetësore

Pas rënies së numrit të të infektuarve me koroavirus, sot është bërë hapja e të gjitha shërbimeve specialistike në QKUK.

Për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), por edhe në spitalet rajonale, ishte ndërprerë dhënia e shërbimit ambulator-specialistik por edhe të shërbimeve të tjera shëndetësore të cilat nuk kanë qenë emergjente.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë të mbajtur, ka bërë të ditur se që nga dita e sotme kanë filluar të gjitha shërbimet spcialistike të QKUK dhe se në mënyrë graduale do të rifillojnë edhe shërbimet e tjera shëndetësore, raporton lajmi.net.

Mirëpo, Zemaj, ka bërë të ditur se situata e krijuar me pandeminë COVID-19, nuk duhet të na relaksojë dhe se çdo qytetar që kërkon ndihmë shëndetësore duhet t’i përmbahet rregullave dhe rekomandimeve të IKSHPK-së.

Sipas Zemajt, Kosova duhet të jetë e përgatitur për valën e dytë të koronavirusit, pasi që siç theksoi ai, vendet e rajonit dhe ato evropiane tashmë kanë deklaruar se janë duke u përballur me valën e dytë të këtij virusi.

“Tash me situatën relativisht të qetë me situatën me pandeminë, Qeveria e Kosovës ka miratuar disa rekomandime për lirimin e masave dhe heqjen e disa kufizimeve. Dhe me këtë jemi dakorduar gjithashtu edhe për kthimin gradual të shërbimeve të ambulancave specialistike dhe kthimin e operacioneve jo emergjente në QKUK dhe në Spitalet e Përgjithshme rajonale. Sot ne pamë për së afërmi dhe kjo afërsi tregon se serioziteti i punës së profesionistëve shëndetësor, të udhëheqësve dhe menaxherëve dhe ambulancave specialistike është duke u trajtuar në nivelin më të lartë të përgjegjësisë. Kjo masë sigurisht më së shumti i gëzon pacientët të cilët kanë nevojë që përmes marrjes së këtyre shërbimeve jo vetëm të atyre që ishin të ngarkuar me COVID-19 që të vazhdojmë që të sigurojmë dhe punojmë për shëndetin e tyre. Sigurisht që kjo periudhë e pandemisë nuk ka qenë e lehtë, vazhdon të jetë sfiduese edhe do të jetë sfiduese edhe për profesionistët shëndetësorë. Të vazhdojmë t’i respektojmë dhe shtojmë masat e marra nga ISHPK-ja dhe MSH-së, vetëm kështu do t’i mundësojmë që personeli shëndetësorë të bëj punën ashtu siç duhet. Drejtori ka marrë përgjegjësi që me rikthimin gradual të këtyre shërbimeve, por edhe me rritjen e kapaciteteve por edhe të rritjes së kujdesit dhe të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm për menaxhimin e situatës me pandeminë. Kjo nuk duhet të na krijojë lehtësira të mëdha për shkak se vendet e rajonit dhe ato evropiane tashmë janë duke iu ekspozuar rikthimit të madh të infeksionit. Andaj kujdesi jonë duhet të jetë më i shtuar. Lirimi i masave nuk nënkupton largim të tërësishëm të virusit. Lirimi i masave na ngarkon me përgjegjësi shtesë që të jemi më të kujdesshëm, më vigjilent dhe më të përkushtuar që ta menaxhojmë situatën bashkërisht”, deklaroi Zemaj, raporton lajmi.net.

Në anën tjetër, Valbon Krasniqi, ushtrues detyre i SHSKUK-së, theksoi se hapja e shërbimeve ambulantore spcialistike është lajm i mirë dhe se të gjitha klinikat dhe spitalet regjionale në mënyrë graduale do t’i hapin të gjitha shërbimet shëndetësore.

“Pas shumë javësh dhe muajsh të numrit të të infektuarve dhe masave në vazhdim për anti-COVID, ne sot kemi lajme të mira. Lajmet e mira janë se situata epidemiologjike dhe aspekti klinik i pacientëve të prekur nga COVID-19, konform edhe vendimit të Qeverisë të mbajtur në mbledhjen e datës 25 të këtij muaji, lejon dhe i mundëson SHSKUK-së që të fillojë me rikthimin gradual të të gjitha shërbimeve shëndetësore për pacientët në nevojë. Ju ishit dëshmitarë se nga sot kanë filluar shërbimet specialistike të QKUK-së, ndërkohë që po dje drejtorët e të gjitha spitaleve të përgjithshme janë udhëzuar që konfrom këtij vendimi, konform situatës epidemiologjik dhe  konform numrit të pacientëve që kanë në spitalet e përgjithshme të rifillojnë rikthimin gradual të shërbimeve shëndetësore për pacientët e tyre. Krahas rikthimit të shërbimeve specialistike, të gjithë drejtorët e klinikave dhe spitaleve të përgjithshëm po ashtu janë udhëzuar që të bëjnë planin në mënyre detale për rifillimin edhe të programeve elektive të intervenimeve kirurgjike”, deklaroi Krasniqi.

Ai po ashtu, kërkoi nga qytetarët që t’i zbatojnë udhëzimet e IKSHPK-së në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e infeksionit, por po ashtu kërkoi që ta zbatojnë edhe orarin e  vizitave.

Sipas Krasniqit, çdo shërbim në QKUK dhe SHSKUK do të bëhet në bazë të situatës së pandemisë me COVID-19 në të cilën do të gjendet Kosova.