Pas vrasjes që ndodhi të dielën në një kazino në Suharekë, Kryetari Bali Muharremaj, ka deklaruar se kërkon që të mbyllen të gjitha kazinot në këtë komunë.
Ndërsa, sot Muharremaj ka treguar se që nga ora 11:00 do të fillojë peticioni për të mbledhur nënshkrimet për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit, shkruan Gazeta Alo.
Muharremaj, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se kërkon edhe nga kryetarët e komunave të tjera që të vetëorganizohen në shfuqizimin e këtij ligji përmes një peticioni qytetar e i cili do t’i dorëzohet Parlamentit të Kosovës.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Ashtu siç kam paralajmëruar, ne do të fillojmë me Peticionin për shfuqizimin e Ligjit për Lojrat e Fatit.
Ne jemi bashkë në këtë rrugëtim dhe të vendosur me të gjitha subjektet politike të Komunës së Suharekës.
Zyrtarisht ne fillojmë ora 11:00, ku i ftoj të gjitha subjektet politike pa dallim, OJQ-të dhe secilin prej jush, ta nënshkruajmë peticionin, në pikat që vendosen sot në qytet, Mushtisht dhe fshatra të tjera.
Kërkoj edhe nga kryetarët e komunave tjera që të na bashkangjitet apo edhe të vetëorganizohen, në shfuqizimin e ligjit përmes një peticioni qytetar ku do ti dorëzohet Parlamentit të Kosovës.
Ne jemi të vendosur dhe jemi gjithmonë në mbrojtje të sigurisë dhe interesave të qytetarëve.
Bali Muharremaj/Gazeta Alo/