Fjalë Kyçe

Flamurtari me trajnerin Artim Shaqiri dhe përfocimet e reja synon ta ‘pushtojë’ Superligën

Flamurtari me trajnerin Artim Shaqiri dhe përfocimet e reja synon ta ‘pushtojë’ Superligën

Njëra nga skuadrat më me traditë në futbollin kosovar, por që viteve të fundit është përballur me shumë telashe, Flamurtari i Prishtinës duket se në edicionin e ri do të jetë “kafshatë” e madhe për shumë skuadra.

Sigurimi i ekzistencës tek në ndeshjet e fundit edicionin e kaluar ka bërë që drejtuesit e klubit sivjet ta hapin “kuletën” dhe në këtë mënyrë të investojnë bukur shumë për të arritur tek objektivat e veta.

Drejtori sportiv i skuadrës së Flamurtarit, Agim Hasani, në një bisedë për gazetën “Zëri” ka thënë se ekipi tashmë ka nisur punën për edicionin e ri dhe se skuadrën e presin shumë risi.

Flamurtari me Shaqirin synon ta ‘pushtojë’ Superligën

“Tashmë kemi marrë katër përforcime, tre lojtarë vendorë: Tervioll Stullqaku, Festim Krasniqin dhe Edon Zeqiri, si dhe një nga Maqedonia, Riste Ilievski”, ka thënë fillimisht Hasani, i cili paralajmëron se këto nuk do të jenë prurjet e vetme.

“Gjithsesi presim deri në fillim të kampionatit edhe disa prurje tjera”, tha Hasani, duke njoftuar se ardhja në krye të shtabit teknik të trajnerit Artim Shaqiri ka motivuar shumë futbollistët.

“Ai ka një karrierë të bujshme si futbollist, derisa edhe si trajner ka bërë punë të mirë te Kukësi dhe ne presim shumë nga ai. Të hënën e ka zhvilluar stërvitjen e parë dhe jemi të kënaqur me punën që bëri. U pa që ka një strategji interesante të punës. Ajo që është me rëndësi është se edhe futbollistët ishin shumë të kënaqur me të”.

“Stërvitjet në Prishtinë do të vazhdojnë deri në fund të këtij muaji, për të shkuar më pas në Ohër, atje ku presim ta kompletojmë fazën përgatitore”, ka njoftuar Hasani, duke shtuar se bashkë me Shaqirin shtabit teknik i është bashkuar edhe një trajner kondicional i ardhur gjithashtu nga Maqedonia.

“Ambiciet tona janë mesi i tabelës. Nuk do t’i bëjmë presion për rezultate, ne duam vetëm punë. Sa u përket financave, jemi shumë stabilë. Kryetari i klubit ka kryer gjitha obligimet që ka, pra jemi 0:0 sa u përket obligimeve”, tha drejtori kuqezi, i cili megjithatë e pranon se vështirësia më e madhe për teknikun e ri është njohuria me Superligën.

“Është e vërtetë që ai nuk ka shumë njohuri sa i përket futbollin tonë, por karriera e tij e madhe besoj do të ndikojë që ai shumë shpejt të ambientohet këtu dhe ta japë më të mirën”, ka përfunduar Agim Hasani.