Fjalë Kyçe

Flet nëna e fëmijës që u rrah nga edukatorja

Flet nëna e fëmijës që u rrah nga edukatorja

Një edukatore ka dhunuar një fëmijë vetëm 18 muajsh.

Rasti është bërë i ditur nga vetë prindërit të cilët edhe kanë shpërndarë videon në rrjetin social Facebook.

Në një prononcim për Portali.info, Naila Gori, nëna e fëmijës që shihet në videon e shpërndarë sot tha se djalin në kopshtin “Cambridge Kids” ka qenë prej muajit nëntor të vitit 2019.

“Para 3 jave burri më ka tregu që po dyshon diçka, pasi djali tregojke rezistencë kur shkojke në kopsht”, ka thënë Gori.

Gori thotë se ka dyshime që kjo sjellje të jetë përsëritur edhe më herët dhe për këtë arsye ka kërkuar edhe videot e kamerave të kopshtit, po ashtu i ka bërë thirrje policisë që të merret me rastin.

Gori ka treguar edhe mënyrën si bashkëshorti i saj, e ka kuptuar se fëmija po keqtrajtohet në kopsht.

“Ata e kanë kompjuterin ne hyrje, i cili është i menaxheres te kopshtit. Burri ka shku me marr fëmiun prej kopshtit, edhe i kanë thanë që janë duke e bërë gati. Ai ka lyp me pa në kamerë se qysh e bajnë gati edhe rasti ne video është rasti cilin e ka pa. Pra krejt ka ndodhur rastësisht” ka shtuar ajo.

Ajo më tej ka thënë se me rastin do të merret drejtësia.

“Përveç që e kemi lajmëruar rastin në polici do të mirremi edhe më detajisht me këtë. Kemi angazhuar avokatin i cili do ta trajtoj këtë çështje”, ka shtuar ajo.

Ndryshe kopshti ka reaguar sot duke e quajtur si rast të izoluar. Mirëpo edhe në komentet e atij reagimi është postuar edhe një rast tjetër që tregonte një mami që sillej në mënyrë jo profesionale me një fëmijë tjetër.