Fjalë Kyçe

Florian Marku: Nuk ishte nata ime

Florian Marku: Nuk ishte nata ime

Boksieri shqiptar, Florian Marku, nuk ishte deklaruar fare pas humbjes së pësuar nga Chris Kongo, të dielën mbrëma në “O2 Arena” në Londër. Dhe reagimin e parë e bëri të hënën pasdite.

Marku ka shkruar se nuk ishte nata e tij.

31-vjeçari e nisi mirë meçin me Kongon, që kishte përparësi sa i takon gjatësisë. Pas dy raundeve të dominuara nga boksieri nga Lushnja, Kongo nisi të shfaqej më shumë. Kishte goditje më të sakta dhe gradualisht kaloi në avantazh sa u takon pikëve. Në raundin e tetë Markut iu mor një pikë nga gjyqtari në ring për goditje të kundërshtarit pas koke. Ai nuk iu përmbajt vërejtjeve të mëhershme të gjyqtarit dhe mbeti pa një pikë.

Në fund, fitorja me vendim unanim i takoi britanikut Chris Kongo. Meçi zgjati dhjetë raunde.

Për Markun ishte humbja e parë në karrierë në boksin profesionist.

“Faleminderit Zotit për gjithçka, si në fitore, por edhe në humbje. Kam shumë vjet pa përjetuar diçka të tillë në karrierën time. E kisha harruar këtë ndjenjë, por dje nuk ishte nata ime, nuk ishte e shkruar”, ka thënë Marku.

Ai ka bilanc prej 13 fitoreve, një humbjeje e një barazimi. Tetë prej fitoreve i ka arritur me nokaut. Ka përkrahje të madhe nga shqiptarët, sidomos në Britani të Madhe. Në fakt, ka shumë vjet që Marku është prej boksierëve shqiptarë më të famshëm.

Humbja ka goditur planet e tij për të luftuar për tituj të rëndësishëm, por Marku ka paralajmëruar kthim të fuqishëm.

“Justifikimet nuk më pëlqejnë. Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata që ishin në stadium dhe gjithë ata që më kanë ndjekur nga ekrani. Do të kthehem më i fortë se kurrë”, ka premtuar Florian Marku.

Kongo tani ka bilanc prej 15 fitoreve e dy humbjeve. Shtatë prej fitoreve i ka me nokaut.

Meçi i së dielës mbrëma ishte i vlefshëm për titullin IBO Interkontinental, në kategorinë uelter. Kongo nuk kishte boksuar që nga janari i vitit 2023, por ndaj Markut shfaqi dukshëm më tepër.

“Kam dashur të ndjejë raundet e para. Kam ndier forcën e tij dhe i kam thënë vetes, ai nuk do të më ndalë, nuk ka shanse. Kisha një vit jashtë ringut dhe ishte e vështirë për mua. Por kam qëndruar në palestër dhe kam vazhduar punën. Kjo është gjëja kryesore. Jam krenar me veten që e kam bërë këtë”, ka thënë Kongo.