Juristja e mediave, Flutura Kusari është nderuar me Urdhrin e Meritës nga Gjermania. Ky urdhër, që i është ndarë nga presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, iu dha Kusarit nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, më 18 mars.
Kusari është qytetarja e parë e Kosovës që merr Urdhrin e Meritës që ndahet nga shteti gjerman.
Ky urdhër, sipas ambasadorit Rohde, iu nda Kusarit për “përkushtimin e saj për media të lira dhe demokraci në Kosovë dhe përtej”.
Sipas Gjermanisë, falë punës së saj Kusari është një prej figurave udhëheqëse në shoqërinë civile në Kosovë.
https://twitter.com/GermanAmbKOS/status/1769788422812479590
“Gjatë karrierës së saj ajo ka promovuar lirinë e shprehjes dhe mediave si parakushte thelbësore për zhvillimin demokratik në rajon dhe integrimin në Bashkimin Evropian”, tha Ambasada gjermane përmes një njoftimi.
“Avokimi i saj i palodhshëm përfshin mbrojtjen e lirisë së medias kundër ndërhyrjes politike, mbrojtjen e gazetarëve nga sulmet verbale dhe fizike dhe në rastet e padive SLAPP [padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike]. Kritikat konstruktive të Kusarit dhe qasja proaktive ka bërë që ajo të ketë reputacionin e një force shtytëse për llogaridhënie brenda Qeverisë”.
Kusari, sipas Gjermanisë, përmes punës së saj vazhdimisht ngreh vetëdijen politike dhe publike sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me mediat.