Fjalë Kyçe

Forma e Muellerit te Bayerni nxit thirrjet për kthimin e tij te Gjermania

Forma e Muellerit te Bayerni nxit thirrjet për kthimin e tij te Gjermania

Thomas Muelleri mund t’i nxisë edhe më tej thirrjet që ai të llogaritet nga Përfaqësuesja e Gjermanisë, kur Bayern Muencheni fillon mbrojtjen e trofeut të Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit, të mërkurën (sonte) prapa dyerve të mbyllura, shkruan AFP.

Pas 21 asistimeve edicionin e shkuar, që ishte edhe rekord në Bundesligë, Muelleri ka vazhduar formën e tij fantastike edhe në edicionin 2020/21, duke shënuar pesë gola dhe asistuar në katër të tjerë. 31-vjeçari shënoi dy herë në fitoren 4:1 ndaj Arminia Bielefeldit të shtunën e kaluar, takim në të cilin dy gola i shënoi edhe Robert Lewandowski.

Paraqitjet e fundit të Muellerit për klubin kanë nxitur shpresa të reja për ftesë nga Gjermania. Në fakt, Muelleri u përjashtua nga përfaqësuesja nga ana e përzgjedhësit Joachim Loew, vitin e shkuar, së bashku me mbrojtësit Jerome Boateng e Mats Hummels. Së fundi, thirrjeve për ta kthyer Muellerin te Gjermania i janë bashkuar edhe Bastian Schweinsteiger, Dietmar Hamann e Lothar Matthaeus.

“Nëse unë do të isha trajneri i Gjermanisë, do ta ftoja Muellerin që është në një formë fantastike. Më habit fakti që Gjermania nuk po llogarit në Muellerin që është ndër më të mirët jo vetëm në Bundesligë, por edhe në Evropë në rolin e tij”, ka insistuar Schweinsteiger.

Schweinsteigeri ndihmoi Gjermaninë ta fitojë Kupën e Botës në vitin 2014 në Brazil së bashku me Muellerin. Ai e di se Muelleri ka ende shumë për t’i ofruar përfaqësueses për të cilën ka zhvilluar 100 ndeshje dhe ka realizuar 38 gola. Edhe Muelleri ka pranuar se pret një ftesë nga përzgjedhësi Loew.

“Të gjithë mund ta shohin që unë jam në formë të mirë. Le të shohim se çfarë do të ndodhë”, insistoi Muelleri, ndonëse deri më tani Loew nuk ka treguar shenja se mund ta ftojë sërish sulmuesin bavarez.