Charlie Cole, një nga fotografët që ka filmuar pamjen e famshme të njeriut para tankut, gjatë protestave në Sheshin Tiananmen në Pekin, ka vdekur.
Fotografia e njeriut duke qëndruar para një kolone tankesh, një ditë pasi qindra, e ndoshta mijëra njerëz janë vraë, është bërë imazh i protestave pro demokracisë në Kinë, në vitin 1989.
Cole, më 1990, ka fituar Çmimin “World Press Photo” për këtë fotografi. Ai ka jetuar në Bali të Indonezisë, ku edhe ka vdekur në moshën 64-vjeçare. Cole ka qenë njëri nga katër fotografët që e kanë kapur atë skenë më 5 qershor, 1989.
Ai e ka bërë fotografinë për revistën “Newsweek” nga ballkoni i një hoteli. Cole më vonë ka thënë se ka pritur që njeriu para tankut të vritej dhe ka ndjerë se është përgjegjësi e tij të regjistronte atë që po ndodhte.
Por, protestuesi i paidentifikuar është larguar më pas nga rruga nga dy burra të tjerë. Se çfarë ka ndodhur me të, mbetet e paqartë.