Shoqata “Miqtë e Amerikës”, në bashkëpunim me Drejtorinë për Arsim të Komunës së Fushë Kosovës dhe Gjimnazin “Hivzi Sulejmani”, sot kanë organizuar disa aktivitete për nder të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Këto aktivitete janë zhvilluar pranë shtatores së Presidentit Bill Clinton në Prishtinë, njofton Klan Kosova.
Përgatitjet nisën në orët e hershme të mëngjesit me larjen e platesë së sheshit “Bill Clinton” nga zjarrfikësit, duke vazhduar me vendosjen e flamujve, korin e grave “Nexhmije Pagarusha”, hapjen e ekspozitës me fotografi me disa nga personalitetet që ndikuan që të arrihet Pavarësia e Kosovës, dhe aktivitete të tjera që do vazhdojnë në pjesën tjetër të ditës.