Ministrja e Mbrojtjes e Francës, Florence Parly, shprehu shqetësim për angazhimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara në NATO dhe tha se besnikëria ndaj aleancës duhet të jetë “e pakushtëzuar”.
Duke folur në Këshillin Atlantik në Uashington, Parly tha se “evropianët pyeten nëse angazhimi i SHBA-së në NATO do të jetë afatgjatë”.
“A duhet të supozojmë se do të vazhdojë sikurse në 70 vjetët e kaluar”, tha ajo.
Komentet pasyqrojnë dyshimet në rritje në Evropë për përkushtimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj NATO-s.
Trump ka kërkuar që aleatët të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre, në mënyrë që t’iu lehtësohet barra taksapaguesve amerikanë, ndërsa shpesh ka dështuar të përmendë angazhimin ndaj Artikullit 5 të Kartës së NATO-s, i cili thotë se sulmi ndaj një anëtari të NATO-s, është sulm ndaj të gjithë anëtarëve.
Duke pranuar kërkesën e Trumpit që Evropa të shpenzojë më shumë për mbrojtjen e përbashkët, Parly po ashtu tha se “aleanca duhet të jetë e pakushtëzuar, përndryshe nuk është aleancë”.