Franca të enjten regjistroi rekord prej më shumë se 91.000 rastesh me Covid-19 përderisa u rrit edhe numri i viktimave. Shteti evropian po përballet me valën e pestë të virusit.
“Shifrat e sotme nuk janë të mira”, tha ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran. Ai më herët u tha gazetarëve se numri ditor për të enjten do të ishte rreth 88.000, por shifra zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë ishte 91.608 infeksione të reja.
Ministri më herët këtë javë tashmë kishte paralajmëruar se Franca së shpejti do të mund të shënonte nga 100.000 raste me Covid-19 në ditë, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Përpos infeksioneve, të enjten në Francë u raportuan edhe 179 të vdekur nga Covid-19, ndërsa numri i pacientëve në repartet për kujdes intensiv shkoi në 3.208, nga 61 sa ishte një ditë më parë.
Presidenti Emmanuel Macron po shpreson që fushata për dhënien e dozës përforcuese do të ndihmojë për ta kufizuar valën e pestë. Ai po synon që ta shmangë marrjen e masave të reja e të ashpra, ndonëse qeveria franceze ka thënë se të gjitha masat do të shqyrtohen për parandalimin e përkeqësimit të gjendjes.