Një grua transgjinore nga Franca i ka fituar zgjedhjet lokale në komunën e vet për t’u bërë kryetarja e parë transgjinore në këtë nivel të pushtetit.
Këshilli në Tilloy-lez-Marchinnes në verilindje të Francës e zgjodhi Marie Cau-n për kryetare të re, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Gruaja 55-vjeçare gjatë fushatës kishte premtuar qëndrueshmëri ekologjike dhe rindërtim të ekonomisë lokale. Ajo tha se nuk është aktiviste dhe se dëshiron të përqendrohet në politikat komunale.
“Njerëzit nuk më kanë zgjedhur pse jam apo nuk jam transgjinore, ata e kanë zgjedhur një program. Kjo është interesante: kur gjërat bëhen normale, ju nuk veçoheni”, tha ajo.
Banorët e kësaj komune me rreth 600 banorë, që shtrihet afër kufirit me Belgjikën, votuan në zgjedhjet lokale në muajin mars.
Ata i zgjodhën të gjithë këshilltarët komunalë nga partia “Të Vendosim Së Bashku”, ku bënte pjesë edhe Cau. Këshilltarët më pas votuan pothuajse në mënyrë unanime për ta zgjedhur atë kryetare të qytezës.