Fjalë Kyçe

Fshati i Podujevës ku mungon energjia elektrike

Fshati i Podujevës ku mungon energjia elektrike

Me mijëra euro investime kanë bërë në vendlindje, por disa banorë të fshatit Brainë të Podujevës nuk kanë energji elektrike në objektet e tyre dhe rruga për te pronat e tyre është vështirë e kalueshme.

Ata thonë se nuk po mund të kujdesen sa duhet për plantacionet me pemë, pasi për shkak të rrugës së dëmtuar duhet t’i bartin mjetet në krah, ndërkohë që edhe për ujitje u duhet rryma.

Edhe pse rrjeti i energjisë elektrike ishte vendosur në vitet ’80 në këtë pjesë të fshatit kufitar, ai është vjedhur menjëherë pas lufte, për t’u mos u rindërtuar më, raporton KTV.

Vitin e kaluar Komuna e Podujevës kishte vendosur pak zhavorr në rrugën “Shaban Dërguti”, por, sipas banorëve, puna është bërë shkel e shko.

Rexhep Ajeti thotë se për shkak të djegies dhe shkatërrimit të shtëpive gjatë luftës në këtë pjesë të Brainës, janë detyruar ta braktisin fshatin për t’u vendosur në Prishtinë. Por, në vitin 2016 ai e ka ndërtuar një shtëpi këtu dhe ka mbjellë 3 hektarë me arra, mollë e disa pemë të tjera.

Edhe Mustafë Hajdini, që është imam i xhamisë së fshatit, ka ndërtuar shtëpi dhe po ashtu ka mbjellë 3 hektarë arra këtu. Ai thotë se janë të interesuar edhe të tjerët të investojnë në fshatin e lindjes, porse këtë nuk po mund ta bëjnë pa rrymë e pa rrugë.

Zyrtarët komunalë të Podujevës nuk kanë qenë në gjendje të flasin me arsyetimin se duhet të dalin në fshat për të parë se për cilën rrugë bëhet fjalë dhe për gjendjen e saj.

Njësoj kanë vepruar edhe zyrtarët e KEDS-it.

Ndërsa banorët thonë se janë zhgënjyer shumë me institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, nëse nuk u plotësohen kërkesat për rrugë dhe rrymë, do ta shkatërrojnë këtë investim që e kanë bërë me mund dhe do t’ia kthejnë shpinën këtij vendi.