Fjalë Kyçe

Fshatrat e Gollakut mbeten në terr, KEDS nuk intervenon

Fshatrat e Gollakut mbeten në terr, KEDS nuk intervenon

Banorët e fshatrave Prapashticë, Gllogovicë, Hajkobillë, Dabishevc dhe Marevc ka 12 ditë që kanë mbetur në terr. Reshjet e fundit të shiut dhe borës kanë rrëzuar shtyllat elektrike dhe kanë këputur kabllot, duke lënë banorët e kësaj ane pa rrymë, në këto temperatura të ulëta.

Ata thonë se kanë njoftuar përgjegjësit, porse ende nuk është bërë ndonjë zgjidhje nga ana e tyre. Në mungesë të rrymës, banorët janë organizuar vetë që ta pastrojnë atë pjesë për t’ia lehtësuar KEDS-it që t’i lidhë kabllot, por që siç thonë ata nuk kanë dalë për ta bërë një gjë të tillë.

Salih Kadriu, banor i Prapashticës, ka thënë se ka disa ditë që po kërkojnë nga KEDS-i që t’i lidhë kabllot, por që thirrjet e tyre kanë hasur në “vesh të shurdhër”.

“Krejt kemi dalë e kemi pastruar ata nuk janë ardhur me lidh. I kemi dërguar telat secilit bander, i kemi thirr me telefon, atë ditë kanë qenë, por vetëm një punëtor ka thënë se nuk del”, ka thënë Kadriu.

Mungesa e rrymës iu ka shkaktuar dëme banorëve. “Mungesa e rrymës na ka shkaktuar dëme të mëdha në amvisëri, në ferma. Kemi telashe në mjeljen e lopëve, kemi probleme të mëdha. Krejt mjetet çka kemi bërë i kemi bërë për dimër, po duhet me i qit poshtë krejt”, ka thënë Shefqet Bajrami, banor tjetër i Prapashticës.

Edhe Halim Ruhani nga po ky fshat tregon për telashet që po ua shkakton mungesa e rrymës. “Unë e kam edhe fermën, por s’mund t’ia dalim pa rrymë. Çka kemi pasur nëpër friza u dasht me i gjujt, pasi qe 12 ditë rrymë s’ka”, ka theksuar ai.

Të revoltuar me mungesë të rrymës janë edhe banorët e Gllogovicës, të cilët kanë paralajmëruar se do të organizojnë edhe protesta para KEDS-it. Përfaqësuesi i fshatit, Asllan Bekteshi, ka thënë se ky është një skandal i shtetit që po luajnë me ndjenjat e tyre. Për shkak të pandemisë, ai frikësohet se do të sëmuren pasi nuk mund ta mbajnë higjienën siç duhet.

“Rrymë nuk kemi qe 10 ditë, dihet pasojat se çfarë janë. Sidomos në këto ditë pandemie, që dihet se duhet të kemi një higjienë personale, dhe çfarë higjiene mund të mbajmë në këtë situatë? Kjo është shumë dukuri e keqe, shteti po luan me ndjenjat e njerëzve, sepse janë bërë njerëzit agresivë. Ky është mjerim, ky është skandali më i madh”, ka theksuar ai.

Edhe Bekim Gjela, njëri nga organizatorët e protestës, thotë se nuk marrin përgjegjësinë për atë që mund të ndodhë aty, pasi janë tejet të revoltuar.

“Ne si banorë të këtyre fshatrave e kemi marrë një vendim dhe shpresoj që nuk do të ndodhë asgjë, do të shkojmë të gjitha fshatrat para objektit të KEDS-it në Prishtinë. Unë nuk kam dëshirë me ndodh asgjë aty, mirëpo banorët janë aq të revoltuar sa unë nuk do të marr asnjë përgjegjësi se çka mund të ndodhë”, ka theksuar ai.

Ata thonë se gjatë tërë kohës përballen me probleme të rrymës për shkak se shtyllat elektrike janë tejet të vjetra. KOHA ka kërkuar një përgjigje edhe nga KEDS-i për këto ndërprerje të rrymës, por gjatë ditës së martë nuk ka marrë përgjigje.