Fjalë Kyçe

FSK-ja, e varur nga mbështetja e SHBA-së

FSK-ja, e varur nga mbështetja e SHBA-së

Mospezullimi i taksës doganore ndaj Serbisë dhe Bosnjës, si kusht për vazhdimin e dialogut me Serbinë në Bruksel, mund të ndikojë edhe në procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Para rreth një muaji, zyrtarë të lartë amerikanë, i dërguan letër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, ku thuhej se “është e pabesueshme” që Kosova po e injoron këshillën e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e taksës doganore.

Në këtë letër, ishte shprehur shqetësimi amerikan, duke përfshirë edhe partneritetin në fushën e sigurisë.

Letra ishte pasuar edhe me anulimin e vizitës së planifikuar të Gjeneralit Timothy Orr nga Garda Kombëtare e Iowas, në Kosovë, e që kishte për qëllim të përqendrohej në bashkëpunim bilateral në fushën e sigurisë.

Këto zhvillime edhe kishin luhatur raportet ndërmjet shteteve dhe kishin ngjallur frikë në mospërkrahjen në procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Një shqetësim të tillë e kishte shprehur edhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, i cili përmes një letre, e kishte paralajmëruar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për faktin se po rrezikohen të paktën 12 milionë euro mbështetje amerikane për FSK-në.

Mirëpo, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth mbështetjes së SHBA-së në fushën e sigurisë, Rama nuk ka dhënë detaje, por ka thënë po vazhdon mbështetja nga Amerika në procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri.

“Ne e kemi përkrahjen amerikane. Nuk e kemi asnjë problem, dhe ne jemi duke u zhvilluar, në bazë të planeve tona që i kemi dhe nuk asnjë shqetësim. Është duke shkuar sipas planit që e kemi ndërtuar bashkërisht edhe me partnerët tanë”, ka thënë Rama.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, kryeministri Ramush Haradinaj, nuk ka ndërruar mendje për heqjen e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili është zëvendëskryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se Kosova duhet t’i ruajë raportet e mira me SHBA-në. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë katalizatori kryesor i zhvillimit të lirisë shtetësisë së Kosovës.

“Në veçanti, angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për rritjen e kapaciteteve ushtarake dhe të sigurisë në Kosovë, pres që të jetë i intensitetit edhe më të lartë, ashtu siç ka qenë deri më tani, pse jo edhe më shumë në të ardhmen”, është shprehur deputeti Selimi.

Selimi për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se shqetësimet e ngritura ditëve të fundit për raportet ndërmjet vendeve, janë me vend. Ai shpreson që SHBA-ja do të vazhdojë ta konsiderojë Kosovën si pjesë e suksesit të tyre.

“Raporti mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një raport jetik, jo vetëm për ngritjen e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve, por edhe për ngritjen dhe zhvillimin e vetë shtetit të Kosovës, prandaj Kosova duhet ta ruajë, ta respektojë, ta mirëmbajë dhe ta sigurojë edhe për të ardhmen këtë raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Selimi.

Tranzicioni i FSK-së nga një forcë për emergjenca civile në Ushtri, ishte një proces i gjatë që u finalizua në fund të vitit 2018, pas mbështetjes që Kosovës i erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës.

Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë Ushtrinë e saj.

FSK-ja, aktualisht, numëron 2500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë. Ky numër pas ndërrimit të mandatit, do të dyfishohet. Me mandatin e ri parashihet që të ketë 5000 ushtarë aktivë dhe 3000 pjesëtarë rezervë.